
Pedagogu: Shqiptarët kanë ëndërruar keq. Nuk ka përparim pa sakrifica dhe ndjenjë kombëtare
Dritare.net
Në një intervistë për emisionin “Dekalog” të Roland Qafokut, analisti Altin Gjeta rrëfeu arsyet pse, pavarësisht karrierës akademike dhe jetës së suksesshme në Britani, ai dëshiron të kthehet dhe të kontribuojë në Shqipëri. Sipas tij, është koha që të rinjtë me vetëdije politike dhe ndjenjë kombëtare të heqin dorë nga një pjesë e rehatisë personale për të ndërtuar të ardhmen e vendit.
“‘Guri i rëndë në vend të vet.”, thotë një fjalë e urtë shqiptare dhe kjo duhet të vlejë edhe sot,” u shpreh Gjeta.
Ai theksoi se, ndonëse ka kaluar vite të mrekullueshme në Perëndim dhe është formuar intelektualisht atje, ideja e sakrificës për të mirën e vendit ka qenë gjithmonë një shtysë e fortë.
“Pavarësisht problemeve me korrupsionin dhe meritokracinë, mendoj që të rinjtë duhet të ngulmojnë për të ndërtuar jetën këtu. Asnjë vend nuk ndërtohet pa sakrifica,” tha ai.
Për Altin Gjetën, problemi më i madh nuk qëndron vetëm te mungesa e progresit institucional, por te mënyra sesi shqiptarët kanë ëndërruar Perëndimin dhe të ardhmen e tyre.
“Ne kemi ëndërruar keq. Jo sepse nuk kemi pasur ëndrra, por sepse kemi pasur iluzione. Mënyra si ëndërron një shoqëri është shumë e rëndësishme për zhvillimin e saj,” deklaroi ai.
Sipas tij, përparimi nuk vjen vetëm nga integrimi në Perëndim, por nga ndërtimi i një shteti funksional, me bazë identitare të fortë dhe me sakrificë të vetëdijshme për të ardhmen kombëtare./K.C/dritare.net

















