Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Çuni i Kukësit, doktor i shkencave politike në Londër: Altin Gjeta rrëfen jetën mes Shqipërisë dhe Britanisë

Çuni i Kukësit, doktor i shkencave politike në Londër:

Altin Gjeta, një i ri nga Kukësi, është sot ndër zërat më të artikuluar të diasporës shqiptare në Britaninë e Madhe. I diplomuar për shkenca politike, me master dhe doktoraturë të përfunduar në Angli, ai jeton mes Birminghamit dhe Shqipërisë, ku vazhdon të kontribuojë në jetën publike me mendimin e tij kritik dhe të pavarur.

Në një intervistë për emisionin “Dekalog” me gazetarin Roland Qafoku, Gjeta tregoi se ndonëse është integruar plotësisht në shoqërinë britanike dhe ka kaluar vite të suksesshme akademike e profesionale atje, ka zgjedhur të mos shkëputet kurrë nga Shqipëria.

Altin Gjeta, i njohur edhe për analizat e tij në median shqiptare, shpreh shqetësimin për hemorragjinë demografike që po përjeton Shqipëria dhe thotë se pa sakrifica nuk ndërtohet asnjë vend.


“Nëse vazhdojmë me këtë ritëm largimesh, pas 100 vitesh do të jetë e vështirë të kemi një shtet shqiptar me identitet dhe kulturë dominante shqiptare,” – paralajmëron ai.


I pyetur për “çunat e Londrës”, Gjeta thekson se shumica e shqiptarëve në Britani janë punëtorë, të ndershëm dhe të integruar, ndërsa vetëm një pjesë shumë e vogël bie në kontakt me botën e krimit.

“Kur një shqiptar diplomon në Oksford apo zhvillon kërkime shkencore, askush nuk e përmend. Por një ngjarje e errët bëhet menjëherë titull,” – thotë ai me ironi.

Sot, “çuni i Kukësit” është doktor i shkencave politike në Londër, por zemra dhe angazhimi i tij vazhdojnë të rrahin fort edhe për Shqipërinë. Ai është shembulli i një brezi të ri që nuk ka zgjedhur rrugën më të lehtë, por atë të përballjes dhe kontributit./K.C/dritare.net