Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Berisha reagon pas lirimit të Salianjit

Berisha reagon pas lirimit të Salianjit

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka reaguar ashpër pas vendimit për lirimin nga burgu të ish-deputetit demokrat Ervin Salianji, duke e cilësuar dënimin e tij si politik dhe të motivuar nga hakmarrja. Në një deklaratë publike, Berisha akuzoi kryeministrin Edi Rama dhe ish-ministrin e Brendshëm Fatmir Xhafaj si përgjegjësit kryesorë për ndalimin dhe burgosjen e Salianjit.

“Para se të ndalemi në farsën e turpshme elektorale të 11 majit 2025, dua të dënoj me forcën më të madhe dënimin politik ndaj deputetit Ervin Salianji nga Edi Rama dhe Fatmir Xhafaj, krerë kryesorë të organizatës kriminale të narkoshtetit,” deklaroi Berisha.

Ai tha se Salianji vuajti 9 muaj burg “jashtë çdo ligji, Kushtetute dhe rregulli”, vetëm për faktin se denoncoi Geron Xhafën si trafikant droge në qarkun e Vlorës, i kërkuar në Milano. Sipas Berishës, qëllimi i burgosjes së Salianjit ishte që të fshihej e vërteta për përfshirjen e zyrtarëve të lartë në trafikun e drogës.

“Burgosja e Ervin Salianjit kishte si synim kryesor burgosjen e të vërtetës se Edi Rama, Fatmir Xhafaj dhe Geron Xhafaj udhëhiqnin dhe përfitonin nga trafiqet nga Vlora drejt Italisë,” u shpreh lideri i opozitës.

Berisha akuzoi gjithashtu kryeministrin Rama dhe Xhafajn se kanë ndikuar edhe në shtyrjen me gjashtë javë të vendimit të gjykatës për lirimin e Salianjit, të cilën e cilësoi si një “akt të turpshëm dhe hakmarrës”.

Ervin Salianji u lirua pas disa muajsh burgim, ndërsa çështja e tij ka qenë vazhdimisht në qendër të debatit politik mes maxhorancës dhe opozitës./K.C/dritare.net