Violina e parë e teatrit prestigjoz, “San Carlo”, Cecilia Laca: Jam shumë krenare që shqiptarët shkëlqejnë kudo!

Nga Jonida Hitoveizi

Cecilia Laca është violinisjta e parë në teatrin më të vjetër në botë, atë të “San Carlo”, në Napoli. Një tjetër rast suksesi i një shqiptareje në skenat e mëdha të botës, për të cilin Cecilia thotë se i është dashur shumë punë. Në një intervistë për dritare.net, Laca e cila është mbesa e kompozitorit të njohur Gjon Simoni dhe violinistit Cin Simoni, tregon vështirësitë e shkollimit në Itali dhe suksesin që ka prekur, duke qenë violiniste e njërit nga teatrot më antikë dhe më prestigjozë në Europë dhe në botë.

Cecila, së fundmi jeni bërë pjesë e teatrit “San Carlo” të Napolit, si violiniste e parë. Ka qenë sukses i pritur për ju ky?

Kur mbarova studimet, vendosa të bëja të gjithë konkurset për violinë të parë që zhvilloheshin në atë moment në Itali. Faktikisht konkursi i parë që bëra, e fitova. Kur bën një konkurs gjithmonë shpreson të fitosh.

Unë isha një nga nxënëset e Maestro Salvatore Accardo, violinist me famë botërore… (Edhe aty kisha hyrë nëpërmjet një seleksionimi shumë strikt), kështu që dëshira ime ishte të fitoja gjithë konkurset që do provoja.

Çfarë do të thotë të jesh violina e parë e teatrit prestigjoz “San Carlo”?

Është një nder i madh për një shqiptare të ketë një ndër rolet më prestigjozë të kulturës italiane e botërore. Teatri “San Carlo” është më i vjetri në botë. Aktiviteti i tij ka filluar që në vitin 1737 e ndërtesa është akoma e paprekur. Çdo njeri që vjen, mahnitet me bukurinë e tij.

Ju keni ikur nga Shqipëria shumë e vogël. Si ka qenë jeta juaj në Itali përgjatë këtyre viteve?

Jeta ime ka qenë e vështirë në një vend të huaj, pa prindërit e mi afër, por më ka ndihmuar shumë nje familje italiane nga Potenza. Kam jetuar me ta, e më kanë trajtuar si vajzën e tyre.

Koha më e vështirë ka qenë periudha e gjimnazit kur frekuentoja dy shkolla, gjimnazin paradite dhe konservatorin mbasdite. Imagjinojeni lodhjen time kur kthehesha në shtëpi pasdite mbas shkollave dhe duhet të studioja 3/4 violinë e të gjitha lëndët e gjimnazit.

 

Meqë jemi këtu a mund të na thoni diçka për veten tuaj, ku keni lindur, si ikët në Itali?

Unë jam nga Shkodra e familja ime e gjitha merret me muzikë. Dajat e mi janë artistët Gjon Simoni, kompozitor e personazh i rëndësishëm i jetës artistike të Tiranës dhe Cin Simoni, violina e parë për shumë vite e orkestrës të RTSH-së.

Përse zgjodhët Italinë?

Gjyshërit e mi kanë jetuar në Milano për shumë vite dhe prindërit kanë qenë të vetdijshëm që Italia është djepi i kulturës dhe i artit.

A ka më shumë mundësi në vendin tonë fqinj për të zhvilluar një talent?

As nuk mundemi të krahasohemi me  vendet europiane. Janë të mbushur me shkolla muzike, me profesorë me nivel ndërkombëtar, pikërisht si profesori im, Maestro Salvatore Accardo, kanë teatro me tradita e salla koncertesh ku organizohen shfaqje çdo ditë.

Sa e vështirë është të jesh një artist që spikat në një instrument të caktuar?

Vështirësia e çdo instrumenti është mundi dhe orët që i dedikohen çdo ditë. Instrumenti është si sporti. Duhet praktikë çdo ditë.

LEXO DHE :  Senatorja boliviane vetëdeklarohet Presidente

Kush jua ka ngjizur dashurinë për violinën?

Mami! Mamaja ime, e cila ka qenë mësuese violine në shkollën e muzikës në Shkodër. Nxënëset e saj shkëlqejnë në të gjithë botën.

Cila është magjia e këtij instrumenti?

Tingulli, i cili penetron shpirtin e çdo njeriu dhe mundësia për të shprehur gjithë muzikalitetin nëpërmjet tingullit dhe vibratos.

 

A keni patur momente kur keni thënë se arti nuk bën për ju, ndoshta do kishte qenë më mirë të kishit zgjedhur diçka tjetër?

Jo. U regjistrova me shumë qejf edhe në universitet për matematikë, por mbas 6 muajsh e kuptova që ishte e pamundur t’i vazhdoja të dyja. Prindërit e mi më  dhanë mundësinë të kisha një profesion që ishte një ëndërr, kështu që vendosa të ndjek artin.

Ku është më e vështirë jeta e një artisti, në Itali apo Shqipëri?

Në Shqipëri.

Ju tani jeni zhvendosur të jetoni në Napoli? Si ndiheni në këtë qytet?

Jeta ime ecën paralele nëpër dy qytete. Torino ku eshte familja që kam krijuar dhe Napoli ku punoj.

Në një intervistë për mediat italiane, thoni se ndiheni si “napolitane”. Vëreni shumë ngjashmëri me temperamentin shqiptar apo është diçka tjetër që ju tërheq në këtë qytet?

Po ashtu është. Ka ngjashmëri me temperamentin shqiptar, por qyteti i Napolit ka shumë histori, arkitekturë, muzikë etj.

 Ju jeni martuar në Itali keni dhe një vajzë. Si është të jesh një nënë artiste?

Vajza ime 3 vjeçe pothuajse vjen çdo ditë në teatrin ku punoj. Dëgjon koncerte (duron rreth 30 minuta) sheh balet e ndjek pak opera, e ky është për mua një gëzim i madh.

Sa të vështirë e ka një grua sot, të jetë e suksesshme në shtëpi dhe në skenë apo punë?

Pak të vështirë e kam, sepse kur jam në Napoli duhet t’i përballoj të gjitha vetëm, por me forcë e gëzim që kam nga vajza ime Arianna, e cila është bërë një shoqe udhëtimi fantastike, përballohen të gjitha.

Besoni se presioni social sot ndaj gruas perfekte është shumë më i madh se ai që kishin nënat tona?

Nënat tona në Shqipëri e kanë pasur shumë më të vështirë se ne sot. Kanë jetuar në diktaturë!

Kur vjen puna tek muzika klasike duket se shqiptarët dominojnë kudo në botë me talentin e tyre. Ju si e shihni këtë gjë?

 Jam shumë krenare që Shqipëria shkëlqen.

A ka racizëm në art? Ju vet e keni ndeshur në ndonjë moment të karrierës suaj?

Jo.

Cili ka qenë momenti më i vështirë gjatë kësaj rruge?

Periudha e parë në Itali.

 

Cecilia e ndjek jetën kulturore në Shqipëri? Sipas teje çfarë vuan ende skena jonë artistike sot?

Skena jonë vuan mungesën e orkestrave profesionale dhe organizime stazhonesh të tëra. Dmth Shkodra përshembull duhet të ketë një orkestër të vetën, e cila bën shfaqje çdo javë.

Orkestrat shqiptare duhet të kenë kushte pune si në vendet e tjera evropiane.

Po debatin për Teatrin Kombëtar, e ke ndjekur. Ke ndonjë mendim?

Shyqyr që kemi Teatrin Kombëtar me një fije histori. Të shembet edhe ai çfarë na mbetet????/ dritare.net

 

Për t’u bërë pjesë e grupit "Dritare.net" mjafton të klikoni: JOIN GROUP

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.