Shefi i famshëm: Grekët i adhurojnë gatimet shqiptare!
Dritare.net
Eraldo Ziu është shefi i kuzhinës që i bëri grekët të hanë tavë kosi dhe ushqime të tjera tradicionale shqiptare. Ai tregon në emisionin Shqip nga Rudina Xhunga në DritareTV se grekët janë shumë kuriozë për gatimet shqiptare edhe shumë herë i kërkojnë receta të ushqimeve tona tradicionale.
“Kjo videoja e tavës së kosit arriti rreth gjysmë milionë klikime në Tiktokun tim. Shumica e grekëve nuk e kanë vizituar Shqipërinë ose nuk kanë ndonjë ide se çfarë hahet apo si është Shqipëria. Edhe kur bëj video me gatime shqiptare i shikojnë shumë. Duan të mësojnë shumë se çfarë kemi ne në kuzhinën shqiptare.”, tregon Eraldo.
Jo vetëm kuzhinën, por grekët kanë shprehur një kuriozitet për të njohur gjithë Shqipërinë. Eraldo thotë se këtë vit shumë shokë të tij grekë e vizituan Shqipërinë dhe mbetën të habitur. Sepse në mendjen e tyre kishte mbetur mendimi se Shqipëria është një vend i varfër, por tjetër gjë panë kur e vizituan.
“Shumë shokë të mi erdhën sivjet në Shqipëri dhe vizituan Sarandën, Himarën. Pra kishte fluks të madh nga Greqia për të bërë pushimet në Shqipëri. Jo vetëm shqiptarë, por edhe grekë. Ata thonë se nuk e prisnin këtë ndryshim të madh në Shqipëri. Ata kishin ide tjetër për Shqipërinë dhe u habitën shumë kur e panë vetë. Mendonin se Shqipëria ishte një vend i varfër. Por kur panë ato resorte, hotele, restorante luksoze, ato plazhet përrallore, ndryshuan mendim.”, thotë shefi i kuzhinës që ka ikur nga Lushnja në Greqi më shumë se dy dekada më parë dhe sot punon në Zvicër, në njërin prej 100 resorteve më të mira të botës./K.C/dritare.net