Shëndeti mendor/ Problemet më të mëdha të shqiptarëve sot dhe grupmoshat më të prekura sipas psikologëve!
Dritare.net
Nga Lorena Fjolla
10 tetori është Dita Botërore e Shëndetit Mendor. Pandemia sigurisht, ka përkeqësuar shëndetin mendor. Problemet janë shtuar, stresi dhe ankthi po ashtu. Kjo ka shtuar nevojën, që shumëkush t'i drejtohet psikologut.
Sipas të dhënave të Urdhrit të Psikologut, në vendin tonë janë të regjistruar 895 psikologë prej të cilëve 416 të liçensuar për të ushtruar profesionin.
Dritare.net, komunikoi me disa psikologe, që mbulojnë zonën e Tiranës, dhe Elbasanit, për të parë sesa janë rritur përgjatë pandemisë kërkesat për këshillim psikologjik dhe për çfarë shkojnë shqiptarët te psikologët.
Psikologia klinike në QSUT, Enertila Bekteshi, pohon se nevoja për asistencë psikologjike ka qenë më e madhe në këtë periudhë ndaj edhe numri i njerëzve të cilët i janë drejtuar, ka qenë më i lartë se vitet e mëparshme. Përsa i përket grupmoshave, Bekteshi, tregon se në fillim të pandemisë, më së shumti nevojë për këshillim psikologjik, kanë pasur moshat e treta. Por në vijim, kërkesa ka ndryshuar.
"Fillimi i shkollave dhe përballja e të rinjve me situatën e re, duket sikur po i vendos në vështirësi ata, ndaj ajo që po vëzhgoj unë kohët e fundit, ndonëse nuk mund ta them me saktësi të plotë, është se të rinjtë po bëhen pacientët më në nevojë".
Të njëjtën gjë, pohon edhe psikologia Klinike Zhvillimi dhe Marrëdhëniesh, në Elbasan, Manolita Hida. Ajo tregon se ka qenë një punë e madhe e bërë në këtë kohë me fëmijët dhe adoleshentët, për t'i ndihmuar ata për frikërat që lidhen kryesisht me pandeminë.
"Ka pasur një rritje të individëve të cilët kërkojnë shërbim dhe trajtim, të lidhur kryesisht me frikën ndaj kovidit dhe ankthin që shkakton pandemia. Kanë qenë grupmosha të vogla, që nga fëmijët, por edhe të rriturit, deri në moshat 30-35 vjeç. Kovidi ka qenë shkaktari që ka nxjerrë në pah frikërat e fshehta të mbuluar nga mekanizmat mbrojtjes. Duke shfaqur kështu problematika të tjera që i kanë detyruar pacientët që pas vizitave me mjekët neuropsikiatër, t'i drejtohen psikologëve.
Por cilat janë arsyet që çojnë në shtim të problemeve të shëndetit mendor?
Elona Mustafaraj Psikologe Këshillimi dhe Shkollore, tregon se:
"Kërkesat më të shumta janë për raste të prekura nga elementët e ankthit apo të depresionit. Vihet re që një pjesë e mirë e individëve të cilët kërkojnë shërbim psikologjik paraqiten në një kohë kur simptomat janë bërë të pa menaxhueshme dhe pasi kanë “shëtitur” në mjekë të ndryshëm ku kanë kërkuar mjekim për stomakun, zemrën, tensionin, etj. Në fakt rezulton që këto janë të gjitha simptoma ose pasoja të problematikave të shëndetit mendor."
Por jo vetëm problemet që lidhen me pandeminë. Psikologet tregojnë, se jetesa së bashku gjatë karantinës, ka sjellë pasojat e veta. Familjet me shumë anëtarë, pohojnë psikologet, janë ato që janë raportuar më shumë konflikte. Në Elbasan, ka pasur gjithashtu shtim të rasteve të raportuara, të dhunës në familje. Kjo ka ndodhur kryesisht përgjatë karantinës.
Seancat me psikologë, kryesisht zhvillohen në zyra, por gjatë pandemisë, nuk kanë qenë të paktë ata që kanë kërkuar këshillim online.
"Seancat zhvillohen gjithmonë në nevojë te klientit që referon problemi përsa i përket teknikës së terapisë. Takimet kryesisht zhvillohen në zyrë aty ku pacienti ndjehet i sigurt për t'u shprehur në lidhje me problemin që ka. Terapitë zhvillohen edhe online, por efektiviteti i tyre, nuk mund të them se është njësoj si në praninë fizike të pacientit", tregon psikologia Bekteshi.
Si e vlerësojnë psikologet shëndetin mendor të Shqiptarëve?
Para së gjithash, ata bien dakord në një pikë. Nuk është ende në kulturën e shqiptarëve, këshillimi me psikologë.
"Ne jemi popull i ekstremeve. Diçka e pranojmë me lehtësi dhe diçka jo. Ndaj është e vështirë të flasësh në tërësi për shëndetin e një populli. Ka një tërësi faktorësh që ndikojnë në shëndetin mendor të shqiptarëve. Kryesisht kjo lidhet me karakteristikat tona si popull. Jemi imponues si popull, dhe kryesisht që ka tendencën të fajësojë. Nuk karakterizohemi fort nga empatia" , thotë psikologia Hida.
"Kujdesi i shqiptarëve për shëndetin mendor ka vend për përmirësim. Pavarësisht shtimit të kërkesave për shërbim psikologjik vazhdon të ekzistojë stigma për sëmundjet e shëndetit mendor", thotë për Dritare.net psikologia Mustafaraj.
"Shqiptarët vijnë te psikologu atëherë kur problemi është bërë shumë i madh. Në vlerësimin tim shëndeti mendor i shqiptarëve ka nevojë për asistencën apo punën psikologëve", shprehet psikologia Bekteshi./dritare.net