Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Shalsi sulmon ashpër Blushin: Hipokrit, pseudopatriot i pacipë, kukuvajkë!

Shalsi sulmon ashpër Blushin: Hipokrit, pseudopatriot i pacipë,
Kryetari i Komisionit të Veprimtarisë Prodhuese, Eduard Shalsi, ka reaguar pas akuzave të Ben Blushit për ligjin e mbetjeve të riciklueshme. Shalsi e përfshin Blushin në grupin e personave që përbëhet nga pehlivanët politikë, pseudopatriotë të pacipë, spekulantë, hipokritë e kukuvajka në kritikat ndaj importit të mbetjeve.

“Në rastin më të mirë është i painformuar dhe komplet i paditur, dhe në rastin më të keq, që është më i mundshmi, po përpiqet më kot të fitojë kapital politik duke u ekzaltuar me temën e plehrave. Është te blloku i dytë i individëve, që përbëhet nga pehlivanët politikë, pseudopatriotë të pacipë, spekulantë, hipokritë e kukuvajka,”­ tha Shalsi për gazetën “Panorama”

I ftuar në “Dritare me Rudinën”, Blushi tregoi se pse ishte kundër ligjit duke komentuar deklaratën më të fundit të kryeministrit Rama.

“Dëgjova kryeministrin që tha sot dhe dje, argumentet e tij janë qesharake, sigurisht. Tha: “Kemi hapur vetëm tre dogana për mbetjet”. E di si është kjo? Është njësoj sikur të kesh afër shtëpisë një fushë të ndotur dhe të ngushëllohesh se nuk i ke hapur të gjitha dritaret, por vetëm tre dhe era e keqe futet vetëm nga tre dritaret. Ky është një argument foshnjarak. Fakti është që ky ligj është totalisht kriminal dhe ajo që mua më habit është se si ka mundësi, në këtë shumicë ose këtë qeveri, dhe kjo është filozofi në fakt, nuk flet njeri për shëndetin. E dini ju që me statistikë Shqipëria është sot ndër vendet e para në Evropë për sëmundje kanceroze. A ke dëgjuar njeri të flasë për këtë temë? Kë mbron qeveria? Mbron industrinë? Sigurisht që duhet t’i mbrojë dhe vendet e punës pa dyshim që duhet t’i mbrojë, por në radhë të parë duhet të mbrojë interesin publik”, u shpreh Blushi./dritare.net