Richard E. Grant fshin nga jeta miqtë që e shmangën pas vdekjes së gruas: Nuk do t’i shoh më kurrë
Dritare.net
Aktori britanik Richard E. Grant ka zbuluar se ka “fshirë” përgjithmonë nga jeta e tij disa miq, pasi ata e shmangën pas vdekjes së gruas së tij, Joan Washington.
Grant, 69 vjeç, tha se nuk mund t’i falë njerëzit që zgjodhën të mbanin distancë prej tij në një prej periudhave më të vështira të jetës së tij. Washington, një e njohur në industrinë e filmit si trajnere e dialekteve, ndërroi jetë në vitin 2021, në moshën 74-vjeçare, pas një beteje tetë-mujore me kancerin e mushkërive.
Çifti ka qenë i martuar për 35 vjet dhe ka një vajzë, Olivia, 37 vjeçe.
Në një intervistë të re për The Times, aktori i njohur për filmin “Withnail and I” tha se disa miq u larguan prej tij pas humbjes së bashkëshortes, duke shmangur kontaktin nga frika se nuk do të dinin çfarë t’i thonin apo se biseda do të bëhej e sikletshme.
Grant tha se për të kjo sjellje ishte e pafalshme.
“Jam shumë i prerë, bardh e zi, gjithçka ose asgjë”, u shpreh ai, duke shtuar se përpiqet të mos mendojë gjithmonë në mënyrë kaq kategorike, por kjo nuk i zgjat shumë.
“Ka njerëz që janë fshirë nga jeta ime dhe nuk do t’i shoh më kurrë. Nëse do t’ua kisha bërë unë këtë atyre, nuk do të mund t’i shihja në sy”, tha aktori.
Kur u pyet nëse do t’i falte miqtë nëse qëllimi i tyre kishte qenë i mirë, Grant ishte i prerë: “Jo”. Më pas shtoi: “Portcullis down. Goodbye” – një shprehje që nënkupton se dera është mbyllur përfundimisht.
Nuk është hera e parë që Grant ka folur publikisht për mënyrën se si miqtë reaguan pas vdekjes së gruas së tij.
Në vitin 2023, ai tregoi se kishte hasur në jug të Francës një çift suedez, miq të tij prej rreth 25 vitesh, të cilët, sapo e panë, ulën kokën dhe shmangën kontaktin me të.
Më vonë, ai tregoi se e kishte përjetuar atë sjellje si një lloj ndëshkimi për faktin që ishte i ve. Sipas tij, miqtë nuk e kishin përmendur kurrë vdekjen e Joan dhe ai mendonte se ndoshta thjesht nuk dinin si të silleshin me të.
Grant ka theksuar se heshtja për një person që ka ndërruar jetë mund të jetë e dhimbshme për familjarët e tij. Sipas tij, nëse nuk flet për personin që ka vdekur, është sikur i thua familjarit se ai person nuk ekziston më.
Pavarësisht se kanë kaluar rreth pesë vjet nga vdekja e Joan Washington, Grant tha se lidhja e tij emocionale me të mbetet shumë e fortë.
Aktori tregoi se ende i shkruan çdo natë para se të flejë dhe se as nuk e mendon të gjejë një partnere të re
“E di që kjo ndodh, por ende nuk kam pasur asnjë shkëndijë të tillë”, tha ai, duke iu referuar mundësisë për të rënë sërish në dashuri.
Për Grant, humbja e bashkëshortes nuk ka qenë vetëm një dhimbje personale, por edhe një moment që i ka treguar se cilët njerëz ishin vërtet pranë tij. Pikërisht për këtë arsye, ai thotë se disa miq tashmë janë përfundimisht jashtë jetës së tij./K.C/dritare.net