Rama: Reflektimi im përpara “pasqyrës së Bulevardit të Flamingove”
Dritare.net

Në Pallatin e Brigadave po zhvillohet mbledhja e grupit parlamentar të Partisë Socialiste dhe kabinetit qeveritar, ku kryesocialisti Edi Rama ka mbajtur fjalën e tij.
Rama tha se në mbledhje ka sjellë dy dokumente që, sipas tij, pasqyrojnë reflektimin e tij pas zhvillimeve të muajit qershor.
“Kam sjellë sot me vete dhe dy dokumente. Janë dy dokumente që mishërojnë reflektimin tim përpara pasqyrës së bulevardit të flamingove dhe janë të hapura për t’u lexuar, ndryshuar që ta përmbushin sa më mirë qëllimin e tyre”, u shpreh Rama.
Sipas kryeministrit, dokumenti i parë është strategjik dhe lidhet me ndryshimet që duhet të garantojë mandati i katërt në qeverisje, ndërsa dokumenti i dytë është një aneks që përcakton mënyrën se si Partia Socialiste duhet të mbështesë këtë kthesë.
Rama u ndal edhe te zhvillimet e muajit qershor, kur, sipas tij, bulevardi u mbush me qytetarë nga kategori të ndryshme shoqërore dhe mosha të ndryshme.
Ai e cilësoi flamingon si simbol të vëmendjes së madhe që Shqipëria i kushtoi kësaj ngjarjeje dhe tha se dy dokumentet janë të hapura për t'u lexuar dhe ndryshuar, me qëllim përmbushjen sa më mirë të objektivave të përcaktuara.