PS sqaron Reformën Administrativo-Territoriale: Bashkitë nuk “zhduken”
Dritare.net

Partia Socialiste ka reaguar lidhur me lajmet që po qarkullojnë në media për Reformën Administrativo-Territoriale, duke sqaruar se procesi i konsolidimit territorial nuk do të sjellë “zhdukjen” e asnjë bashkie apo qyteti.
Sipas PS-së, bashkitë që do të përfshihen në këtë proces do të ruajnë emrin, identitetin dhe qendrën e tyre urbane, ndërsa do të bashkohen me bashkitë fqinje në një strukturë të re administrative.
“Bashkitë e përfshira në këtë proces ruajnë emrin, identitetin dhe qendrën e tyre urbane”, thuhet në njoftimin zyrtar.
PS thekson se çdo qendër do të vijojë të ketë përfaqësim institucional, përmes nënkryetarit përkatës dhe përfaqësimit në këshillin bashkiak, si dhe rol në planifikimin vendor dhe organizimin e shërbimeve.
Sipas socialistëve, reforma synon një organizim më efikas të qeverisjes vendore, duke ruajtur identitetin dhe historinë e komuniteteve.
“Ky proces synon një organizim më efikas të qeverisjes vendore, duke ruajtur identitetin, historinë dhe lidhjen e drejtpërdrejtë të qytetarëve me territorin ku jetojnë”, thuhet në reagim.