
Video/ Me armë gati për qitje në hotel! Momenti kur RENEA arreston Flodian Plakun!
Dritare.net
Drejtoria Vendore e Policisë Vlorë, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme Operacionale dhe Drejtorinë e Policisë Kriminale, finalizoi me sukses operacionin policor të koduar “ETERNA”, duke arrestuar Flodian Plakun, një nga personat më të kërkuar për vrasje me paramendim.
Plaku u kap brenda hotel “Doko” në Radhimë, teksa qëndronte me mikun e tij Julian Aliaj. Në momentin e ndërhyrjes, ai ishte i armatosur me një pistoletë me fishek në fole, gati për qitje, por nuk reagoi ndaj ndërhyrjes blic të forcave RENEA.
Gjatë operacionit u arrestuan edhe 4 persona të tjerë, të dyshuar për strehim dhe ndihmë ndaj të shumëkërkuarit, ndërsa në cilësinë e provës materiale u sekuestruan:
2 armë zjarri pistoletë,
municion luftarak,
25 000 euro cash,
7 aparate celularë
Policia e Shtetit publikoi edhe pamjet e operacionit, duke theksuar profesionalizmin dhe përkushtimin e strukturave të saj në goditjen e krimeve të rënda dhe garantimin e sigurisë publike.
Flodian Plaku ishte në kërkim për vrasjen e Gentjan Bejtjas, ish-polic i burgjeve dhe mik i Ervis Martinajt, i cili u ekzekutua në gusht 2023 në zonën e Orikumit. Bejtja u qëllua për vdekje në një atentat të mirëorganizuar, ndërsa hetimet çuan në identifikimin e Plakut si një nga autorët e dyshuar./K.C/dritare.net

















