
Berberi e tradhtoi! Si u arrestua Flodian Plaku në Radhimë
Dritare.net
Policia e Shtetit, në bashkëpunim me prokurorinë e Tiranës dhe njësinë RENEA, arrestoi mbrëmjen e 3 gushtit në Radhimë të Vlorës, Flodian Plakun, të dyshuar për vrasjen e Gentjan Bejtjes në Orikum.
Plaku u kap në ambientet e hotel “Doko”, ku qëndronte me mikun e tij Julian Aliaj. Operacioni u zhvillua pasi një berber i dërguar nga miqtë e Plakut u ndoq nga agjentët deri në dhomën ku ndodhej i kërkuari. RENEA ndërhyri menjëherë dhe arrestoi Plakun pa rezistencë.
Në dhomë u gjetën dy armë zjarri. Për këtë arsye u arrestua edhe Julian Aliaj, i cili akuzohet për “mbajtje pa leje të armëve” dhe “përkrahje të autorit të krimit”. Ndërsa Plaku u transferua në Tiranë, ku pritet të përballet me masën “arrest me burg”.
Të dy kanë precedentë penalë në Itali për trafik droge si pjesë e një grupi kriminal që vepronte mes Shqipërisë dhe Italisë.
Gentjan Bejtja, ish-polic i burgjeve dhe mik i afërt i Ervis Martinajt, u ekzekutua më 20 gusht 2023 në afërsi të Orikumit, në një atentat të mirëorganizuar. Ai u qëllua me armë zjarri teksa udhëtonte me makinë dhe humbi jetën në vend. Dyshohet se vrasja ka lidhje me prishje hesapesh në botën e krimit, ndërsa Flodian Plaku është një nga personat që akuzohet si autor i drejtpërdrejtë i atentatit.K.C/dritare.net

















