Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

SPAK çon për gjykim 6 zyrtarë të ARRSH për shkelje në tenderin 22 milionë euro

SPAK çon për gjykim 6 zyrtarë të ARRSH për shkelje

Prokuroria e Posaçme ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar për gjykim gjashtë zyrtarë të Autoritetit Rrugor Shqiptar (ARRSH), të akuzuar për shkelje të barazisë në tenderin publik për një segment të Unazës së Re me vlerë mbi 22 milionë euro.

Në fokus të hetimit është tenderi i zhvilluar në vitin 2019 për “Rehabilitimin e segmentit rrugor ‘Mbikalimi Pallati me Shigjeta – Rrethrrotullimi Shqiponja’”, fituar nga bashkimi i operatorëve Salillari SHPK – Bajrami N. SHPK.

Zyrtarët e dërguar për gjykim janë:

Arbër Troka
Miranda Shkurti
Nikollaq Mihali
Almir Hoxhaj
Erjon Zemanaj
Admir Pahumi
Ndaj tyre rëndon akuza për “Shkelje të barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, në bazë të nenit 258 të Kodit Penal.

Sipas njoftimit zyrtar të SPAK, zyrtarët kanë bashkëpunuar për të manipuluar procesin e tenderimit në mënyrë që të favorizonin fituesin, duke cenuar parimin e konkurrencës dhe duke dëmtuar interesat ligjore të shtetit.

Gjatë hetimit janë analizuar dokumentet teknike dhe tenderuese, dosjet e ofertave, vendimet e Komisionit të Prokurimit Publik si dhe dëshmitë e dhëna nga përfaqësues të subjekteve pjesëmarrëse në tender. Gjithashtu, janë sekuestruar dokumente për tendera të tjerë të zhvilluar nga ARRSH në periudhën 2019–2021, për të cilët hetimet vijojnë ende.

Procedimi penal 175/1/4 i vitit 2025 është veçuar nga një dosje më e gjerë hetimore që përfshin edhe dyshime për shpërdorim detyre në tenderë të tjerë.

SPAK njoftoi se do të vijojë hetimet për të gjitha procedurat e dyshimta të prokurimit publik që kanë kaluar përmes ARRSH në vitet e fundit./l.f-dritare.net