
Salman Rushdie/ Dënimi me vdekje për "Vargjet satanike" nuk u hoq asnjëherë!
Dritare.net
Salman Rushdie, autori, shkrimi i të cilit çoi në kërcënime me vdekje nga Irani në vitet 1980, u sulmua të premten teksa ishte gati të jepte një leksion në perëndim të Nju Jorkut
Autori indiano-britanik dhe libri i tij "Vargjet satanike" u konsideruan blasfemi ndaj Muhamedit.
Që nga viti 1989, shkrimtari Salman Rushdie - subjekt i një sulmi në Nju Jork të premten më 12 gusht - ka jetuar nën mbrojtje. Autori, i lindur në Bombei (tani Mumbai) në 1947 dhe që jeton në Angli, ishte subjekt i një fetvaje, një dënimi me vdekje, nga Ayatollah Khomeini, udhëheqësi i Iranit.
Arsyeja e dënimit, për blasfemi, është vepra e vitit 1988 (Vargjet satanike), një histori fiktive në të cilën, autori aludonte për figurën e Muhamedit. Edhe pse, pas protestave të para që shpërthyen në botën myslimane, Rushdie e kishte përcaktuar Muhamedin në një artikull në "The Observer" si "një nga gjenitë e mëdhenj të historisë botërore", Khomeini e shqiptoi dënimin më 14 shkurt 1989 (rasti më pas çoi në prishjen e marrëdhënieve diplomatike midis Mbretërisë së Bashkuar dhe Iranit).
Në gusht të të njëjtit vit, një bombë që shpërtheu në një hotel në Londër pranë stacionit Paddington dhe vrau bombarduesin, Mustafa Mahmoud Mazeh. Në vitin 2005 që një reporter nga Times zbuloi një gur varri në një varrezë në Teheran që e përkujtonte atë si "dëshmori i parë që vdiq në një mision për të vrarë Salman Rushdie".
Dy vjet më vonë, në korrik 1991, përkthyesi italian i Vargjeve, Ettore Capriolo, u rrah dhe ther me thikë në shtëpinë e tij në Milano. Në të njëjtin muaj, përkthyesi japonez, Hitoshi Igarash, u vra. Dhe, përsëri, botuesi norvegjez i librit, William Nygaard dhe përkthyesja Kari Risvik u kërcënuan. Pavarësisht se u vendos nën mbrojtje, Nygaard u qëllua dhe u plagos më 11 tetor 1993.
Fetvaja u përsërit nga Ayatollah Ali Khamenei në 2005 (dhe pastaj përsëri në 2017 dhe 2019 përmes Twitter). Rushdie thotë se çdo vit në ditën e shpalljes së dënimit, më 14 shkurt, ai merr një kartolinë speciale Shën Valentini nga Irani, ku i kujtohet se dënimi nuk është zhdukur ende. Mbi kokën e tij qëndron një shpërblim prej 3.3 milionë dollarësh nga një fondacion fetar iranian.
I lindur në Indi më 19 qershor 1947, Rushdie u transferua në Londër kur ishte 14 vjeç. Ai ndoqi King's College në Kembrixh. Që nga viti 2000 ai jeton në Nju Jork. Ai është autori, ndër të tjera, i "Fëmijët e mesnatës" (fitues i çmimit "Booker" në 1981), "Psherëtima e fundit e maurit", "Toka nën këmbët e tij", "Kllouni Shalimar", "Magjepsja e Firences" dhe "Joseph Anton", libër për të cilin i dha një intervistë gazetares Rudina Xhunga, intervista e tij e vetme për shqiptarët./Corriere/M.K/dritare.net

















