Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Ekstradohen në Shqipëri vëllai i Nuredin Dumanit dhe Armis Stafa

Ekstradohen në Shqipëri vëllai i Nuredin Dumanit dhe Armis Stafa

Janë ekstraduar nga Dubai në Shqipëri, dy shtetas të shumëkërkuar si pjesëtarë të një organizate kriminale. Kjo e fundit, akuzohet nga Gjykata e Posaçme AntiKorrupsion për krime të rënda.

Bëhet fjalë për Dashnor Dumanin, vëllain e vrasësit me pagesë Nuredin Dumanit dhe Armis Stafën. Ky i fundit, dyshohet se është pjesë e bandës së vëllezërve Çopja në Elbasan.

“Si rezultat i këtij bashkëpunimi solid të realizuar nëpërmjet Interpol Tiranës dhe Interpol Abu Dhabit, në kuadër të operacionit ndërkombëtar, të koduar “The Wanted”, u finalizuan procedurat për ekstradimin në Shqipëri, të shtetasve shqiptarë, të shpallur në kërkim ndërkombëtar:


-D. D., 40 vjeç, pasi GjKKO-ja, në vitin 2024, i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese”, “Vjedhja me armë” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit“, kryer në kuadër të organizatës kriminale. Ky shtetas akuzohet se: ?në vitin 2018, në fshatin Bradashesh, ka patur rolin e ekzekutorit në vrasjen e shtetasve E. A., A. D. dhe E. D.; ?në vitin 2019, bashkë me shtetasin A. N., ka djegur një nga automjetet e përdorura gjatë vjedhjes me armë, të shumës së parave, në Rinas.

Gjithashtu, 40-vjeçari është dënuar nga Gjykata e Durrësit, në vitin 2016, me 4 vjet e 4 muaj burgim, për veprën penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit“. Nga ky dënim, atij i kanë mbetur për të vuajtur 1 vit e 4 muaj burgim;

-A. S., 36 vjeç, pasi GjKKO-ja, në vitin 2024, i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, kryer në kuadër të organizatës kriminale. Ky shtetas akuzohet se ka pastruar nëpërmjet shitblerjes së automjeteve, paratë e shtetasve F. G. alias F. Ç. dhe H. B. alias H. Ç., vëllezër, të dyshuara të përfituara nga veprimtari kriminale”, thotë Policia.

Dashnor Dumani është i dyshuar për përfshirje në masakrën e ndodhur në Bradashesh, në dhjetor të vitit 2018, ku mbetën të vrarë Endrit Alibej, daja i tij Arben Dylgjeri, si dhe shtetasi turk Erdal Durunay.

Ndërkohë, Stafa dyshohet të ketë luajtur një rol kyç në pastrimin e parave të rrjetit kriminal të njohur si “Çopja”, duke përdorur veprimtarinë e tregtimit të makinave si një mjet për të legalizuar fitimet e pista. Ky grup kriminal është i njohur për aktivitetet e ndryshme ilegale, përfshirë trafikimin e drogës dhe grabitjet, ndërsa rrjeti i pastrimit të parave është një pjesë e rëndësishme e strukturës së tyre financiare.