Padia për rritjen e pagave të gjyqtarëve, Kushtetuesja mblidhet sot
Dritare.net

Gjykata Kushtetuese është mbledhur sot për të shqyrtuar padinë e gjyqtarëve, të cilët kërkojnë rishikimin e pagave të tyre, një kërkesë që kundërshtohet nga qeveria.
Por çfarë kërkojnë konkretisht gjyqtarët dhe prokurorët?
Më 3 mars të vitit të kaluar, Unioni i Gjyqtarëve kërkoi shfuqizimin e ndryshimeve ligjore të vitit 2023 për pagat e magjistratëve. Sipas këtyre ndryshimeve, paga bazë e tyre u përcaktua sa 36% e pagës së Presidentit, rreth 153 mijë lekë. Më parë, paga referohej te paga e drejtorit të departamentit në Kryeministri, që ishte 132.100 lekë, pra ndryshimi solli një rritje prej mbi 20 mijë lekësh.
Megjithatë, gjyqtarët e konsiderojnë këtë ndryshim si ulje reale page. Kjo sepse paralelisht u rritën pagat në administratën publike dhe paga e drejtorit të departamentit në Kryeministri arriti në rreth 231 mijë lekë. Sipas tyre, nëse do të ishte ruajtur referenca e mëparshme, paga e tyre do të ishte rreth 78 mijë lekë më e lartë.
Për këtë arsye, ata kërkojnë nga Gjykata Kushtetuese ose rikthimin te referenca e mëparshme, ose një formulë të re, rreth 54.3% të pagës së Presidentit, duke kërkuar gjithashtu që çdo rritje e përgjithshme pagash të reflektohet automatikisht edhe te magjistratët.
Sipas llogaritjeve, një rritje prej 78 mijë lekësh në pagën bazë do të sillte në praktikë një shtesë shumë më të madhe, për shkak të formulës së përllogaritjes së pagave të gjyqtarëve dhe prokurorëve. Rritja reale do të varionte nga rreth 1.800 euro për magjistratët e shkallës së parë deri në mbi 3.000 euro për nivelet më të larta, si Apeli i GJKKO dhe SPAK./K.C/dritare.net