Nga student protestues, në Harvard! Historia e panjohur e Taulant Mukës!
Dritare.net

Në një intervistë për emisionin Dekalog nga Roland Qafoku në DritareTV, Taulant Muka rrëfeu rrugëtimin e tij nga fëmijëria në Çorovodë, deri te studimet dhe aktivitetet ndërkombëtare në fushën e mjekësisë dhe inovacionit.
I lindur dhe rritur në një qytet të vogël të Skraparit, Muka kujtoi fëmijërinë mes lumenjve dhe shkollave, duke theksuar lidhjen e fortë me familjen dhe ambientin ku u formua karakteri i tij. Ai u shpreh se eksperiencat e hershme, kanë ushqyer natyrën e tij të guximshme dhe protestuese.
Taulant Muka vazhdoi rrugën akademike, duke mbrojtur doktoraturën dhe duke punuar në universitete të njohura, përfshirë një universitet në Zvicër ku është zëvendësdrejtor për kërkimin shkencor në mjekësinë tradicionale. Ai është gjithashtu i angazhuar në projekte inovative në fushën e edukimit dhe startup-eve mjekësore.
Ai rikujtoi edhe protestestat që bënte kur ishte student për të kërkuar libra, literaturë të përgatitur dhe profesorë më të kualifikuar.
“Më vinte në zyrën time kur isha drejtor i informacionit në OraNews, dhe më habiste guximi i tij për të sfiduar pedagogët dhe sistemin,” tha Roland Qafoku, duke kujtuar protestat e Mukës që nisën që nga koha kur ishte student.
“Protestat e mia nuk janë thjesht kundërshtime, por një betejë për cilësinë dhe standardin e arsimit,” tha Muka.
Ai foli gjithashtu për lidhjen e veçantë me Skraparin dhe potencialin e tij turistik e industrial, duke kritikuar izolimin historik të qytetit dhe mungesën e zhvillimit urbanistik pas viteve ’90.
Në fund, Muka u ndal tek vlerat e familjes, duke kujtuar babanë e tij, shofer legjendar i autobuzit në Skrapar, dhe ndikimin e tij në formimin e karakterit të punëtor dhe këmbëngulës.
“Çdo përvojë, çdo protestë dhe çdo sfidë më kanë formuar dhe më kanë bërë të besoj se arsimi dhe inovacioni janë çelësi për të ardhmen e vendit,” tha Taulant Muka, duke përmbledhur një rrugëtim të jashtëzakonshëm nga Çorovoda drejt botës ndërkombëtare./K.C/dritare.net