Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Takimi inaugurues i Bordit të Paqes, Rama drejt SHBA

Takimi inaugurues i Bordit të Paqes, Rama drejt SHBA

Presidenti amerikan Donald Trump pritet të mbledhë më 19 shkurt në Washington, DC takimin inaugurues të Bordit të Paqes, një nismë që synon forcimin e përpjekjeve ndërkombëtare për stabilitet dhe bashkëpunim global.

Sipas Shtëpia e Bardhë, pritshmëritë për këtë takim janë të larta. Trump ka paralajmëruar se do të shpallë rreth 5 miliardë dollarë ndihma humanitare dhe për rindërtim për Gaza, duke theksuar se “Bordi i Paqes ka potencial të pakufizuar”.

Në këtë takim pritet të marrë pjesë edhe kryeministri shqiptar Edi Rama, i cili është nisur drejt Shteteve të Bashkuara me ftesë të drejtpërdrejtë nga presidenti amerikan. Në podkastin e tij Flasim, Rama u shpreh se Shqipëria do të kontribuojë me prestigjin dhe respektin ndërkombëtar që ka fituar, pa pasur detyrim financiar për anëtarësim të përhershëm në bord.

Ai kujtoi se kishte pranuar një ftesë të mëparshme për ceremoninë themeluese në Davos më 22 janar, por nuk kishte mundur të merrte pjesë. Ndërkohë, Kosova, e përfaqësuar nga presidentja Vjosa Osmani, ishte ndër shtetet themeluese të Bordit të Paqes.

Sipas informacioneve zyrtare, ftesa janë dërguar në mbi 50 shtete për një mandat trevjeçar. Pas këtij afati, vendet anëtare mund të kërkojnë status të përhershëm, i cili parashikon një kontribut financiar prej rreth 1 miliard dollarësh.

Në strukturën drejtuese të bordit përfshihen edhe figura të njohura ndërkombëtare si Marco Rubio, Steve Witkoff, Jared Kushner dhe Tony Blair.

Autoritetet amerikane bëjnë të ditur se në takimin e 19 shkurtit do të marrin pjesë delegacione nga mbi 20 vende, ndërsa pritet të zbulohen edhe detaje mbi planin për rindërtimin e Gazës dhe krijimin e një force stabilizuese për rajonin./K.C.dritare.net