
Akademia e Shkencave i kushton Luan Omarit konferencë për 100 vjetorin e lindjes
Dritare.net
Me rastin e 100-vjetorit të lindjes së akademikut Luan Omari, Akademia e Shkencave zhvilloi një konferencë shkencore me titull “Shteti dhe e drejta në veprën e akademikut Luan Omarit, me rastin e 100-vjetorit të lindjes”.
Veprimtaria u zhvillua në bashkëpunim me Fakultetin e Drejtësisë, Universiteti i Tiranës. Konferenca u drejtua nga akad. Gëzim Hoxha, kryetar i Seksionit të Shkencave Shoqërore dhe Albanologjike dhe akad. Aurela Anastasi.
Në emër të Kryesisë së ASHSH-së, përshëndeti të pranishmit akad. Vasil Tole. Ai u shpreh se Luan Omari është i pari akademik që feston 100-vjetorin mes nesh, e njëherazi i fundit nga akademikët që themeluan Akademinë tonë të Shkencave në vitin 1972.
“Ne, nuk nderojmë thjesht një jetë të gjatë, por një jetë të shkrirë me shkencën, me mendimin shkencor, vlerësojmë një jetë të tërë të lidhur me sistemin universitar dhe me ndërgjegjen juridike të këtij vendi”, u shpreh akad. Tole.
Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja, mbajti një fjalë përshëndetëse në emër të Qeverisë së Shqipërisë dhe të institucioneve të drejtësisë. Ai e vlerësoi akad. Omarin si një prej figurave më të mëdha të mendimit juridik dhe të shkencës kushtetuese shqiptare si dhe shprehu mirënjohje të thellë për kontributet e jashtëzakonshme të cilat kanë lënë gjurmë të thella në historinë e shtetit shqiptar, në sistemin tonë juridik në formimin e mendimit demokratik në vend, si dhe për formimin e brezave të juristëve.
Një letër urimi erdhi për 100-vjetorin e akad. Omarit në emër të Kryesisë së Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës nga kryetari i saj akad. Mehmet Kraja. Përmes kësaj letre, Kryesia e ASHAK-ut shpreh mirënjohjen për kontributin e veçantë shkencor të akad. Omarit, i cili përveç kontributeve të tjera, në vitin 2009 botoi veprën “Kushtetuta e Kosovës në një vështrim krahasues”.
Pas fjalëve përshëndetëse, akad. Aurela Anastasi drejtoi punimet e konferencës. Seanca nisi me kumtesën me temën “Shteti dhe e drejta në veprën e prof. Luan Omarit” nga prof. dr. Arta Mandro. Ajo shprehu vlerësim dhe përulësi ndaj punës dhe kontributit të akad. Omarit në edukimin ligjor si institucion dhe në atë të shtetit dhe të së drejtës si përbërësit e domosdoshëm të demokracisë.
Më pas prof. dr. Ksenofon Krisafi mbajti një kumtesë me temën “Minoritetet në analizat juridike të prof. Luan Omaritt”. Ai e vlerësoi akad. Omarin si një figurë emblematike në fushën e së drejtës dhe si një zë të rëndësishëm në debatin publik mbi çështjet kushtetuese dhe administrative në promovimin e vlerave demokratike dhe të të drejtave të njeriut në Shqipëri, për reformën në gjyqësor, qeverisjen demokratike e më gjerë.
Studentë të Fakultetit të Drejtësisë së UT-së lexuan citate të përzgjedhura nga vepra e prof. Luan Omarit, duke shprehur mirënjohjen për njohuritë që përcjell në brezin e ri.
Në fund, vajza e akad. Omarit, prof. dr. Anila Omari, mbajti një fjalë falënderuese për zhvillimin e kësaj veprimtarie duke shprehur mirënjohjen për Kryesinë e ASHSH-së, përfaqësuesit e qeverisë, organizatorët, si dhe për personalitetet, profesorët e nderuar të jurisprudencës e marrëdhënieve ndërkombëtare, të cilët vlerësuan kontributin e akad Omarit në këto fusha./dritare.net

















