
Përplasje tragjike në Indi. Avioni i Air India bie mbi qendrën e mjekëve
Dritare.net
Një avion Boeing 787 Dreamliner i kompanisë Air India, i nisur drejt Londrës, është rrëzuar vetëm pak sekonda pas ngritjes nga aeroporti i Ahmedabadit, duke u përplasur mbi një qendër mjekësh, konfirmon një zyrtar i lartë i policisë për agjencinë e lajmeve ANI.
Sipas tij, policia, zjarrfikësit dhe shërbimet e emergjencës kanë mbërritur në vendngjarje brenda pak minutash dhe operacionet e shpëtimit janë ende në vijim.
Avioni kishte mbi 200 pasagjerë në bord dhe ishte nisur drejt aeroportit Gatwick të Londrës. Nuk dihet ende numri i saktë i viktimave apo i të mbijetuarve, ndërkohë që autoritetet janë duke kërkuar në rrënojat e godinës së prekur nga përplasja.
Konvikti që u godit është një objekt banimi për mjekë dhe personel mjekësor të një prej spitaleve më të mëdha të qytetit. Ende nuk ka konfirmim zyrtar mbi praninë apo jo të personave brenda godinës në momentin e aksidentit.
Kjo tragjedi shënon aksidentin e parë fatal të një avioni Boeing 787 që nga lançimi i tij në vitin 2011./L.F-dritare.net

















