
Akuzohet se shpërdoroi detyrën në Ministri, arrestohet nëna e reperit Getoar Selimi
Dritare.net
Florije Kelmendi Selimi, nëna e reperit të njohur kosovar Getoar Selimi (Ghetto Geasy) dhe vjehrra e prezantueses së njohur Marina Vjollca, është arrestuar këtë të enjte me urdhër të Prokurorisë Themelore në Prishtinë, nën dyshimin për veprën penale të “Keqpërdorimit të detyrës apo autoritetit zyrtar”.
Sipas burimeve zyrtare, Policia e Kosovës ka ndërmarrë një aksion në zyrat e Ministrisë së Mjedisit dhe Infrastrukturës, ku janë arrestuar disa zyrtarë të këtij institucioni, mes tyre edhe Kelmendi Selimi. Lajmi është konfirmuar nga zëdhënësi i Policisë, Baki Kelani.
Në pranga ranë gjithashtu edhe dy zyrtare të tjera të ministrisë, të cilat, së bashku me Florije Kelmendi Selimin, dyshohen për përfshirje në veprimtari që përbëjnë shkelje të rëndë të ligjit mbi shërbimin publik.
Prokuroria ka nisur hetime të thelluara, ndërsa nuk janë bërë të ditura ende detajet mbi natyrën konkrete të shkeljes apo dëmin e shkaktuar. Arrestimet vijnë si pjesë e përpjekjeve të institucioneve të drejtësisë në Kosovë për të goditur korrupsionin dhe keqpërdorimin e pozitës zyrtare në institucionet shtetërore./L.F-dritare.net

















