AKU bllokon qindra kilogramë mish pule dhe djathë të KMY, nuk plotësonin standardet e sigurisë ushqimore
Dritare.net

Autoriteti Kombëtar i Ushqimit (AKU) ka bllokuar më 12 mars sasi të konsiderueshme produktesh ushqimore në Tirana, pasi nuk plotësonin standardet e kërkuara të sigurisë ushqimore.
Sipas njoftimit zyrtar, në magazinën qendrore në Tiranë të kompanisë KMY janë sekuestruar 738 kilogramë mish pule dhe gjoks pule. Produkti ishte nxjerrë për shkrirje, por mbahej në kushte që nuk përputheshin me normat e higjienës dhe të ruajtjes së ushqimit.
Autoritetet bëjnë me dije se janë duke u përgatitur procedurat për asgjësimin e kësaj sasie mishi, me qëllim parandalimin e çdo rreziku të mundshëm për shëndetin e konsumatorëve.
Ndërkohë, gjatë një tjetër kontrolli në një baxho, inspektorët e AKU-së sekuestruan edhe 328.7 kilogramë djathë dhie, i cili ishte magazinuar në kushte të papërshtatshme higjienike. Sipas inspektorëve, produktet e sekuestruara mund të paraqisnin rrezik për shëndetin nëse do të konsumoheshin nga qytetarët.
Ky aksion vjen vetëm pak ditë pas një tjetër operacioni në Shkodër, ku AKU bllokoi 104 ton misër blegtoral të importuar nga Serbia, i dyshuar për përmbajtje të lartë të Aflatoksinë, një substancë toksike e rrezikshme për shëndetin.
Autoritetet theksojnë rëndësinë e respektimit të standardeve të sigurisë ushqimore dhe paralajmërojnë operatorët e tregut për inspektime të vazhdueshme dhe masa të rrepta në rast shkeljesh.