
Kurti gati të bashkëpunojë me SHBA-në për t’i pranuar emigrantët
Dritare.net
Qeveria në detyrë e Kosovës ka shprehur gatishmëri për të bashkëpunuar me Shtetet e Bashkuara të Amerikës për propozimin e presidentit Donald Trump për të pranuar emigrantët e dëbuar nga SHBA-ja.
Qeveria në detyrë ka thënë se e ka shprehur gatishmërinë për ta trajtuar këtë çështje, në përputhje me kushte të përcaktuara. Në një përgjigje për KOHËN, nga Qeveria kanë thënë se në Kosovë mund të zhvendosen deri në 50 persona për një periudhë njëvjeçare, që të lehtësohet kthimi i sigurt në vendin e prejardhjes.
“Në përgjigje të kërkesës nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës lidhur me pranimin dhe zhvendosjen e përkohshme të shtetasve të vendeve të treta, ne kemi shprehur gatishmërinë tonë për të bashkëpunuar me Shtetet e Bashkuara në trajtimin e kësaj çështjeje, në përputhje me kushtet e përcaktuara. Përgjatë një periudhe njëvjeçare, deri në pesëdhjetë persona mund të zhvendosen përkohësisht, me qëllim të lehtësimit të kthimit të tyre të sigurt në vendin e prejardhjes. Qeveria ka shprehur gatishmërinë që të angazhohet, me mundësinë për të përzgjedhur individë nga një listë e propozuar, për aq sa ata i plotësojnë kriteret e caktuara lidhur me sundimin e ligjit dhe rendin publik”, thuhet në përgjigjen e Qeverisë që ka shtuar se më shumë informacione do të mund të japë ndërkohë.
Qeveria në detyrë ka përsëritur se SHBA-ja mbetet aleate e palëkundur e Kosovës.
“Partneriteti ynë i ndërsjellë, i ndërtuar ndër dekada, mbështetet në vlera të përbashkëta dhe bashkëpunim. E vlerësojmë lart mbështetjen e tyre, sidomos në rrugëtimin tonë drejt integrimit në institucionet euroatlantike”, thuhet në përgjigje.
Ditë më parë, Departamenti Amerikan i Shtetit konfirmoi se vendet e rajonit të Ballkanit janë përfshirë në kontaktet brenda një strategjie më të gjerë amerikane për dëbimin e shtetasve të huaj pa status të rregulluar. Sipas një raportimi të “Bloombergut” bëhet fjalë për migrantët kryesisht nga Kuba, Haiti, Nikaragua dhe Venezuela – të cilëve u është hequr statusi i përkohshëm ligjor në SHBA./K.C/dritare.net

















