Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Rama kundër kërkesës së gjyqtarëve për rritje page: Po abuzoni

Rama kundër kërkesës së gjyqtarëve për rritje

Kryeministri Edi Rama ka reaguar sot ndaj një kërkese të re të Unionit të Gjyqtarëve, i cili për herë të dytë në tre vite kërkon nga Gjykata Kushtetuese rritje të pagave për gjyqtarët. Përmes një postimi në platformën X, Rama e quajti këtë një praktikë “të padëgjuar dhe të panjohur në historinë e shteteve”.

Sipas Kryeministrit, kërkesa e parë e Unionit në vitin 2022 – e cila u pranua nga Gjykata Kushtetuese – garantoi një pagë bazë prej 156 mijë lekësh për gjyqtarët, duke lidhur pagën e tyre me atë të një drejtori në Kryeministri apo një përqindje të pagës së Presidentit.

"Për herë të dytë brenda tre viteve, Unioni i Gjyqtarëve kërkon sërish rritjen e pagave në gjykatë! Një praktikë unikale, e padëgjuar dhe e panjohur në historinë e shteteve – që gjyqtarët t’ia caktojnë vetes pagat përmes gjykatës – por që ka ndodhur në Shqipëri, në vitin 2022, kur ky Union kërkoi në Gjykatën Kushtetuese që paga bazë e gjyqtarëve të ekuivalentohej ose me pagën bazë të Drejtorit të Departamentit të Kryeministrisë ose me një përqindje të pagës së Presidentit, sipas dëshirës së gjyqtarëve.

Këtë herë, pas rritjes së pagave në administratë në vitin 2023, Unioni kërkon sërish ndryshim të ligjit dhe një rritje tjetër për gjyqtarët, e cila do të përkthehej në rreth 700 euro shtesë për person. Rama e cilësoi këtë si një “abuzim madhor” dhe “ndërhyrje skandaloze në kompetencat e ekzekutivit”.

“Pagat e sistemit të drejtësisë u rritën menjëherë sa për dhjetë vjet njëzetë vjet me Reformën në Drejtësi”, tha Rama, duke shtuar se nuk mund të lejohet që ky privilegj të zgjatet përjetësisht përmes vendimeve gjyqësore.

Kryeministri theksoi se vendimi i parë i Gjykatës Kushtetuese u pranua në heshtje për të ruajtur respektin institucional, por paralajmëroi se nuk do të ketë më tolerancë ndaj abuzimeve të tilla.

"Domethënë, ky Unioni e kuptoka si një privilegj të përjetshëm faktin që për ta mbështetur pavarësinë e gjyqësorit dhe fuqizuar gjykatësit e dalë nga Vetingu, ne me Reformën në Drejtësi i rritëm pagat e sistemit të drejtësisë menjëherë sa për dhjetë vjet njëzetë vjet, duke e thyer me vetëdije piramidën e pagave të Republikës së Shqipërisë! Pra, sipas Unionit kjo republikë do jetë përjetësisht e vetmja në botë, ku gjykatësit nuk do ta lejojnë ngjitjen e piramidës së thyer të pagave, sepse ndryshe nga gjithë bota në Shqipëri pagat e tyre nuk do rriten me qeveri e parlament, po me gjyq!!!…

Tani, unë uroj shumë që shakaja e hidhur e Gjykatës Kushtetuese herën e parë – të cilën ne e pranuam në heshtje si një lajthitje që duhej kapërdirë për hir të respektit me heshtje të një vendimi të gjyqësorit – të mos përsëritet. Sepse heshtja ndaj çfarëdo abuzimi, me mbështetjen tonë për drejtësinë, nuk është më një opsion për ne. Për më tepër, në këtë rast ky do të ishtë një abuzim madhor, shumëdimensional, që do të cënonte shumëkënd e shumëçka, duke nisur nga vetë Kushtetuta dhe serioziteti i Republikës së Shqipërisë”, shkruan Rama.

Reagimi i Ramës vjen në një kohë kur raportet mes pushtetit ekzekutiv dhe atij gjyqësor janë nën vëmendje të shtuar, veçanërisht pas reformave të thella në drejtësi dhe sfidave që lidhen me mbajtjen e balancave institucionale./L.F-dritare.net