
Policia e Shtetit nis hetimet për firmën online TXEX: Qytetarët kujdes nga mashtrimet
Dritare.net
Drejtoria e Krimit Kibernetik në Policinë e Shtetit ka nisur hetimet për firmat piramidale online “TXEX” që duket se kanë marrë aktivitet të shtuar kohët e fundit, duke mashtruar qytetarët për të investuar.
Në një njoftim për mediat, policia thotë se po hetohet një skemë e dyshimtë investimesh piramidale nëpërmjet platformave online, që kërkon të zhvasë qytetarët.
Policia e Shtetit ju bën thirrje qytetarëve që të tregojnë kujdes dhe të mos bien pre e asnjë mashtrimi online për të investuar para.
Lidhur me këtë shqetësim, sot ka reaguar edhe Autoriteti Kombëtar i Sigurisë Kibernetike, ku sqaron se ka identifikuar një skemë mashtrimi online të vetëquajtur “TXEX”.
Njoftimi i Policisë së Shtetit:
Strukturat e specializuara të Policisë së Shtetit po vijojnë intensivisht veprimet hetimore dhe operacionale, për parandalimin dhe goditjen e paligjshmërive që zhvillohen online, për të përfituar para nga qytetarët.
Në këtë kuadër, ju informojmë se Policia e Shtetit, nëpërmjet Drejtorisë së Hetimit të Krimit Kibernetik dhe Drejtorisë së Hetimit të Krimit Ekonomik e Financiar, bazuar në informacionet e siguruara, ka nisur një hetim penal lidhur me një skemë të dyshuar investimesh piramidale, nëpërmjet platformave online, dhe po vijon punën intensive për dokumentimin ligjor.
Policia e Shtetit iu bën thirrje të gjithë qytetarëve, që të tregojnë kujdes të shtuar dhe të shmangin aplikimet ose përfshirjen në platforma të tilla, të cilat premtojnë fitime të menjëhershme dhe të paverifikuara.
Për çdo dyshim apo informacion që mund të ndihmojë hetimin, ju inkurajojmë të kontaktoni menjëherë strukturat përkatëse të Policisë së Shtetit, konkretisht ato të Drejtorisë së Hetimit të Krimit Kibernetik dhe të Drejtorisë së Hetimit të Krimit Ekonomik e Financiar në DPPSh, si dhe të sektorëve përkatës në çdo DVP.
Njoftimi i Autoritetit Kombëtar të Sigurisë Kibernetike:
Autoriteti Kombëtar për Sigurinë Kibernetike, në ushtrim të kompetencave të tij për garantimin e sigurisë në hapësirën digjitale dhe ndërgjegjësimin e publikut për rreziqet kibernetike, informon qytetarët mbi identifikimin e një rasti mashtrimi online përmes një platforme të vetëquajtur TXEX.
Kjo platformë, e prezantuar si aplikacion për investime në kriptovaluta, nuk është e regjistruar dhe nuk është e licencuar në Republikën e Shqipërisë dhe si e tillë operon jashtë çdo kuadri ligjor kombëtar. Nga vëzhgimet tona dhe nga denoncimet e shumta të bëra publike, konstatohet se aktiviteti i saj mbart tiparet e qarta të një skeme mashtruese digjitale.
Mënyrat e funksionimit të mashtrimit
Platforma TXEX përdor:
• Reklama joshëse dhe të rreme në rrjete sociale (p.sh. Instagram, TikTok);
• Krijimin e grupeve të simuluara komunikimi në Telegram, ËhatsApp, Signal;
• Prezantimin e fitimeve të fabrikuara për të ndërtuar besueshmëri tek viktimat;
• Kërkimin e pagesave shtesë me arsyetimin për “verifikim” apo “tërheqje fondesh”;
• Mbledhjen e dokumenteve personale sensitive (ID, foto), duke shtuar rrezikun për keqpërdorim të të dhënave personale.
AKSK paralajmëron qytetarët shqiptarë se përfshirja në këtë platformë sjell:
• Humbje financiare të parikuperueshme;
• Rrezik të lartë për cënimin e privatësisë dhe identitetit digjital;
• Mundësi për keqpërdorim të mëtejshëm të të dhënave personale nga rrjete kriminale.
Qytetarët duhet të kenë parasysh se:
1. Asnjë subjekt i palicencuar nuk ka të drejtë të ofrojë shërbime financiare apo investimi në Shqipëri;
2. Premtimet për fitime të shpejta dhe të garantuara janë indikator klasik i mashtrimeve online;
3. Asnjë platformë e ligjshme nuk kërkon pagesa shtesë apo të dhëna personale për tërheqjen e fondeve.
Për të mbrojtur veten dhe të tjerët, AKSK u bën thirrje qytetarëve që:
• Të mos kryejnë transaksione financiare me këtë platformë;
• Të mos ndajnë të dhëna personale sensitive me subjekte të panjohura;
• Të raportojnë menjëherë rastet e dyshimta.
Përveç TXEX janë dhe 2 platforma të tjera të ngjashme XUEXA dhe Grokrexduu. AKSK ka marrë masa urgjente për bllokimin e aktivitetit të këtyre faqeve mashtruese në territorin e Republikës së Shqipërisë, duke bashkëpunuar ngushtësisht me institucionet përgjegjëse dhe ofruesit e shërbimeve të internetit.
Autoriteti Kombëtar për Sigurinë Kibernetike thekson se siguria kibernetike është pjesë përbërëse e sigurisë kombëtare, dhe se mbrojtja nga mashtrimet digjitale kërkon kujdes të shtuar, ndërgjegjësim të vazhdueshëm dhe bashkëpunim të qytetarëve me institucionet përgjegjëse.
Me vigjilencë, raportim dhe kujdes individual, secili kontribuon në krijimin e një mjedisi kibernetik të sigurt, të besueshëm dhe të qëndrueshme për të gjithë shoqërinë shqiptare.

















