
Si e pushtuan serbët, Greqinë, që ne shqiptarët nuk e bëmë dot!
Dritare.net
Nga Kadrije Çako
Pushimet më çuan këtë herë në Polikrono, një nga plazhet më të njohura të Halkidikisë. Qysh në mëngjes, sapo zbret në breg, të bie në sy një gjë: ky vend është i pushtuar nga turistët serbë. Shezlongët rresht, fëmijë që luajnë, të rinj që bisedojnë me zë të lartë, gjithçka rrotull dëgjohet në serbisht. Është një atmosferë e gjallë, por jo ajo që prisja nga një fshat turistik grek.
Në plazh, raporti është i qartë: nga 100 pushues, rreth 80 janë serbë, 12 grekë dhe vetëm 8 shqiptarë, që i dallon vetëm tek-tuk nga ndonjë fjalë shqip, sepse edhe ata që jetojnë në Greqi zakonisht flasin greqisht, jo shqip.
E gjithë skena turistike është e përshtatur për ta:
Menytë janë në greqisht, anglisht dhe serbisht, shpesh serbishtja është më e detajuar se anglishtja.
Shitësit ambulantë nëpër plazhe thërrasin serbisht për të shitur fruta, ëmbëlsira ose misra të ziera. Në disa restorante apo markete, nëse nuk i përshëndet ti i pari në greqisht apo anglisht, kamerierët të flasin drejtpërdrejt serbisht. Për ta, klienti standard është turisti serb. Nuk mungojnë as lokalet me ushqim tipik serb, muzikë serbe, për t’i bërë pushuesit të ndihen si në shtëpi.
Kjo krijon një kontrast interesant, në një nga zonat më të vizituara të Greqisë, kultura që dominon nuk është ajo greke, por ajo serbe. Një copë Serbi bregdetare që nuk ekziston në hartë, por që gjallon, në Polikrono.
Dhe pyetja që lind natyrshëm është: po shqiptarët?
Edhe pse shumë shqiptarë jetojnë këtu prej dekadash, tashmë dhe vizitojnë Greqinë si turistë sezonalë, nuk kanë arritur të lënë gjurmë si serbët. Në Polikrono, shqiptarët nuk janë të pakët, por zakonisht flasin greqisht. Deri më tani ata nuk kanë hapur biznese private turistike ose të tjera, që t’i japin vendit një shenjë shqiptare. Shumica punojnë vetëm si punonjës sezonalë, kamerierë në restorante, në kafene, ndërsa serbët kanë kthyer çdo lokal, restorant apo bar në një mini-Serbi buzë Egjeut, duke imponuar gjuhën dhe kulturën e tyre.
Krahasimi është i thjeshtë:
Serbët e kanë kthyer Polikrononë në një mini-Serbi, me gjuhë, shërbime dhe bizneset e tyre. Shqiptarët, edhe pse gjithmonë të pranishëm në Greqi, mbeten kryesisht të shpërndarë, punonjës dhe të padukshëm si komunitet turistik.
Ky kontrast ngre një pyetje interesante: a është kjo çështje organizimi, mentaliteti, apo zgjedhje e vetë shqiptarëve për ta parë Greqinë thjesht si vend pune e tranziti, jo si hapësirë për të lënë gjurmë?
Për momentin, realiteti është i qartë. Në Polikrono, gjatë verës, greqishtja të tingëllon si gjuhë e dytë, ndërsa serbishtja ka zënë vendin e parë. Një eksperiencë e pazakontë që të lë më shumë pyetje sesa përgjigje./dritare.net

















