Na ndiqni edhe në

Bota

Tensionet me Iranin/ Vendet evropiane dislokojnë anije luftarake dhe avionë në Mesdhe

Tensionet me Iranin/ Vendet evropiane dislokojnë anije luftarake dhe

Pas sulmeve fillestare të SHBA-së dhe Izraelit ndaj Iranit, vendet evropiane kanë rritur vëmendjen dhe praninë e tyre ushtarake në Mesdheun lindor, veçanërisht rreth ishullit të Qipros.

Qipro është anëtare e Bashkimit Evropian, por jo e NATO-s, dhe në territorin e saj ndodhen dy baza sovrane ushtarake britanike. Në këtë kontekst, disa shtete evropiane kanë njoftuar dërgimin e mjeteve ushtarake në rajon si masë mbrojtëse gjatë përshkallëzimit të konfliktit me Iranin.

Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, ka bërë të ditur se vendi i tij do të dislokojë tetë fregata, dy anije amfibe për helikopterë dhe aeroplanmbajtësen Charles de Gaulle në Mesdheun lindor dhe në Detin e Kuq.

Spanja ka dërguar fregatën Cristóbal Colón drejt Qipros, në kuadër të një dislokimi të përbashkët me aeroplanmbajtësen franceze Charles de Gaulle dhe anije të marinës greke.

Ndërkohë, Greqia ka dërguar dy fregata në Qipro dhe katër avionë luftarakë F-16 Viper. Athina gjithashtu ka vendosur një sistem kundërajror Patriot në ishullin juglindor të Karpathos.

Italia ka njoftuar gjithashtu dislokimin e një fregate pranë Qipros. Kryeministrja Giorgia Meloni e quajti këtë veprim “një akt solidariteti evropian, por mbi të gjitha një masë parandaluese”.

Qeveria e Holandës ka bërë të ditur se fregata HNLMS Evertsen do të dërgohet në Mesdhe nga kjo javë deri në fillim të prillit, gjithashtu në bashkëpunim me aeroplanmbajtësen franceze Charles de Gaulle.

Edhe Mbretëria e Bashkuar ka rritur praninë e saj ushtarake në rajon, duke dislokuar anijen luftarake HMS Dragon dhe dy helikopterë Wildcat kundër dronëve në Mesdheun lindor.

Ndërkohë, fregata gjermane FGS Nordrhein-Westfalen mbërriti në portin e Limassolit në jug të Qipros.

Nga ana tjetër, Turqia njoftoi se ka dislokuar gjashtë avionë luftarakë F-16 dhe sisteme të mbrojtjes ajrore në Republikën Turke të Qipros Veriore, një entitet i shpallur nga turko-qipriotët që nuk njihet ndërkombëtarisht./K.C/dritare.net