Izraeli nis një valë të gjerë sulmesh ndaj Hezbollahut në Bejrut
Dritare.net

Forcat e Mbrojtjes së Izraelit njoftuan se kanë nisur një valë të gjerë sulmesh ndaj infrastrukturës së Hezbollahut në zonën Dahieh të Bejrut, në Liban. Sipas ushtrisë izraelite, operacioni është ende në zhvillim dhe përpjekjet për kapjen dhe neutralizimin e raketave në ajër janë duke vazhduar.
Zëdhënësi i ushtrisë, Avichay Adraee, u bëri thirrje banorëve të periferive jugore të Bejrutit të largohen menjëherë nga zona, për shkak të sulmeve që synojnë objektiva të lidhura me Hezbollahun.
Ushtria izraelite deklaroi para disa orësh se Hezbollahu kishte lëshuar raketa drejt disa zonave në Izrael, duke përshkallëzuar më tej tensionet në rajon.
Ndërkohë, Ministria e Jashtme e Izraelit tha se Irani dhe Hezbollahu po godasin veriun e Izraelit, duke shtuar se “raketat po bien çdo ditë mbi shtëpi, rrugë, shkolla dhe familje”.
Nga ana tjetër, presidenti i Iran, Masoud Pezeshkian, deklaroi në rrjetet sociale se “e vetmja mënyrë për t’i dhënë fund kësaj lufte” është sigurimi i garancive të forta ndërkombëtare kundër agresioneve të ardhshme.
Edhe ministri i Jashtëm iranian, Seyed Abbas Araghchi, reagoi duke thënë se infrastruktura kombëtare e Iranit është nën sulm. Ai deklaroi se një degë e bankës më të vjetër të vendit është bombarduar ndërsa brenda saj ndodheshin punonjës, duke paralajmëruar se Irani do të kërkojë hakmarrje për këtë incident.
Situata në rajon mbetet e tensionuar, ndërsa sulmet dhe kundërsulmet po rrisin frikën për një përshkallëzim edhe më të gjerë të konfliktit në Lindjen e Mesme./K.C/dritare.net