
Po ndahemi, po vritemi, se nuk dimë shqip! Alarmi nga gjuhëtari Xhevat Lloshi!
Dritare.net
“Shqip” nga Rudina Xhunga në DritareTv hapi një cikël emisionesh kushtuar gjuhës shqipe. Këtë cikël gazetarja Rudina Xhunga e çeli me profesor Xhevat Lloshin, në një emision të ndarë në dy pjesë. Emisioni i parë ngjalli mjaft interes të ndjekësit e DritareTv, ku profesor Xhevat Lloshi foli gjerë e gjatë për shqipen, rëndësinë që ka shqipja edhe për shqiptarët që jetojnë jashtë shtetit, mësimi në shkolla i gjuhës sonë përmes komunikimit, si dhe predikimi i lutjeve përmes Biblës dhe Kuranit të përkthyer në shqip. Në pjesën e dytë të emisionit profesor Xhevat Lloshi tregon se si gjuha çon në konfrontime, qoftë familjare apo dhe shoqërore. Profesori shpjegon një koncept të gabuar të kemi të gjithë ne për fjalën e lirë. Sipas profesor Lloshit, nuk ekziston liria e fjalës, por liria e shprehjes së mendimit. Në qoftë se ti fyen një njeri, në çdo kod penal të botës ti do të dënohesh. Nga gjuha, thotë profesor Lloshi, vijnë shumë të këqija sociale kur keqpërdoret. Shqipja i ka të gjitha fjalët edhe të mirat edhe të këqijat, por të përdoren atëherë kur duhet.
“Unë pajtohem që është formimi i dobët i përgjithshëm kulturor, letrar, që ndikojnë në nivelin e ligjërimit të ulët. Së pari çdo njeri duhet të mendojë për dinjitetin e vet. Duam ose jo biem në situata komunikimi në të cilat kultura e ligjërimit bie poshtë. Edhe ne përfshihemi në këtë vorbull. Mënyra më e mirë për këtë është të krijojmë mekanizma në nënvetëdijen tonë për të mos shkuar poshtë. Nëse ai shan, mos shaj edhe ti. Përpiquni të mos e bëni këtë, ruani dinjitetin tuaj, mos bini ju poshtë edhe nëse bashkëbiseduesi juaj bie poshtë. Ne e shohim shpesh në Parlamentin tonë, ku deputetët e ministrat fillojnë dhe shkëmbejnë fjalë me njëri-tjetrin duke degraduar në nivel të ulët të ligjërimit. Nuk duhet ta pranojmë këtë gjë. Është plotësisht e mundshme që ne të japim një përgjigje të mirë, të drejtë e të saktë, edhe të ashpër e agresive, por me kulturë gjuhësore. Është një shprehje e vjetër latinë që thotë “duhet të jemi të fortë me qëndrime, por të butë në shprehje”. Pra kur flasim ka plotë mënyra për ta thënë të njëjtën gjë. Nuk ekziston liria e fjalës. Këtë duhet ta themi në shkolla, edhe mediat duhet ta thonë. Liria e fjalës nuk ekziston në asnjë vend të botës. Në Kushtetutë thuhet liria e shprehjes së mendimit. Në qoftë se ti fyen një njeri, në çdo kod penal të botës ti do të dënohesh. Nuk ke të drejtë të thuash çfarë fjale të duash. Ka liri të shprehjes së mendimit, por jo liri të fjalës. Mendimi është tjetër gjë, fjalët tjetër gjë. Nuk të lejon ligji të ofendosh.
Do më lejoni të them një fjalë të keqe? Ndalohet me ligj të thuash fjalën “k*rvë”. Ajo ka të drejtë të të hedh në gjyq. Është një agresivitet që kthehet në një tip bisede dhe kthehen në të gjitha mjetet e pakulturuara. Për shkak të lirisë së shprehjes së mendimit, nuk do të thotë se ke të drejtën të thuash çfarë fjale që të duash. Kjo është keqkuptuar në një formë patologjike. Këta njerëz që kishin qenë të shtrënguar në komunikim, tani në kushtet e lirisë së shprehjes së mendimit janë bërë llafazanë të padurueshëm në çdo rrethanë fillojnë të flasin e nuk pushojnë, që në shtëpi e deri në parlament. Ka gra që nuk pushojnë së foluri. Ka gra që nuk pranojnë të mbyllin gojën dhe duan të flasin vetëm ato dhe ta thonë ato fjalën e fundit. Por, kjo sjell konflikte në jetën familjare. Kemi shkuar në një fazë ta pashembullt të krimit në familje. Përpiquni të mos jeni ju që e thoni fjalën e fundit në familje, duke u imponuar, pasi kjo po sjell tragjedi në familje. Shqipja i ka të gjitha fjalët edhe të mirat edhe të këqijat, por t’i përdorni atëherë kur duhet. Nga gjuha vijnë shumë të këqija sociale kur përdoret keq.”, u shpreh profesor Xhevat Lloshi në DritareTv./K.C/dritare.net

















