Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Përfundon saga e rinumërimit të votave në Tiranë, nuk ka ndryshime në rezultatin përfundimtar

Përfundon saga e rinumërimit të votave në Tiranë, nuk

Pas 9 ditësh punë intensive, përfundoi rinumërimi i 1207 kutive të votimit në qarkun e Tiranës. Siç pritej, ky proces nuk prodhoi asnjë surprizë në rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve. Partia Socialiste konfirmoi mbajtjen e 19 mandateve, ndërsa Partia Demokratike mbeti me humbjen e thellë të 13 mandateve në këtë qark.

Megjithatë, rinumërimi zbuloi disa pasaktësi në numërimin fillestar të votave, duke treguar një humbje më të madhe të votave për PD-ASHM sesa për PS. Kjo bie në kundërshtim me pretendimet e ish-kryeministrit Sali Berisha për farsë dhe trafikim votash, pasi sipas shifrave zyrtare, koalicioni i tij humbi më shumë vota se sa Partia Socialiste.

Sipas të dhënave të reja, Partia Demokratike humbi 612 vota në krahasim me rezultatet e 11 majit, ndërsa Partia Socialiste humbi 381 vota. Pas tyre vijnë Lëvizja Bashkë me 57 vota të humbura, Nisma Shqipëria Bëhet dhe Partia Mundësia që humbën nga 44 vota secila, dhe PSD-ja që humbi 34 vota.

Nga ana tjetër, disa subjekte politike përfituan shtesa votash, përfshirë Koalicionin Euroatlantik të Lulzim Bashës me 27 vota më shumë, Koalicionin Djathtas për Zhvillim të Enkelejd Alibeajt me 8 vota shtesë dhe Partinë Aleanca Kombëtare Shqiptare me 7 vota të reja.

Vlen të përmendet se numri i votave të pavlefshme u rrit në total në 1041 vota, që ishin më parë të llogaritura gabimisht si të vlefshme për partitë dhe kandidatët.

Ndërsa partitë e reja, siç pritej, nuk arritën të përfitojnë mandate, Partia Mundësia mbeti me 2 mandate, ndërsa PSD, Lëvizja Bashkë dhe Nisma Shqipëria Bëhet ruajtën nga 1 mandat secila.

Ky rinumërim vjen pas disa muajsh shqetësimesh dhe pretendimesh për manipulime zgjedhore, por Komisioni i Ankimimeve dhe Sanksioneve ka konfirmuar saktësinë e procesit dhe ka hedhur poshtë akuzat për trafikim votash./K.C/dritare.net