
Ndahet nga jeta aktori dhe regjisor i njohur shqiptar, Naun Shundi
Dritare.net
Aktori, regjisori dhe dramaturgu i shquar shqiptar, Naun Shundi, ndërroi jetë në moshën 66-vjeçare pas një beteje me një sëmundje të rëndë. Ai po trajtohej në QSUT pas kthimit nga Franca, ndërsa Ministria e Shëndetësisë mori përsipër shpenzimet e trajtimit pas apelit të familjarëve.
Naun Shundi ishte një nga figurat më të spikatura të skenës shqiptare, me një karrierë më shumë se 40-vjeçare në aktrim, regji dhe dramaturgji. Ai interpretoi në mbi 100 role teatrale dhe mori pjesë në rreth 20 filma, duke lënë gjurmë të pashlyeshme në artin shqiptar.
Shundi ishte gjithashtu pedagog në Akademinë e Arteve, ku trajnoi gjenerata të tëra aktorësh, dhe në vitin 2022 themeloi së bashku me bashkëshorten e tij teatrin privat “Zonja e Bujtinës”, një iniciativë që erdhi pas shembjes së Teatrit Kombëtar, duke krijuar një hapësirë arti dhe edukimi për brezat e rinj.
Naun Shundi lindi në Tiranë në vitin 1959 dhe përveç karrierës artistike, kontribuoi në formimin e aktorëve të rinj dhe zhvillimin e kulturës teatrale shqiptare. Humbja e tij lë një boshllëk të madh në skenën artistike dhe komunitetin kulturor të vendit./L.F-dritare.net

















