
Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme: Ja si do të bëhet Shqipëria anëtare e BE-së!
Dritare.net
Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani, ka theksuar se Shqipëria ka një plan konkret të miratuar mes Qeverisë Shqiptare dhe Komisionit Evropian për anëtarësimin në Bashkimin Evropian.
I ftuar në Dekalog nga Roland Qafoku në DritareTv , Hasani ka shpjeguar se ky proces po ecën përpara, dhe ka theksuar rëndësinë e besimit në planin e Partisë Socialiste për të bërë Shqipërinë pjesë të BE-së.
"Duhet ta besoni planin e PS për të bërë Shqipërinë pjesë të BE-së, sepse tani që po flasim, qeveria shqiptare ka një plan konkret të dakordësuar mes Shqipërisë dhe Komisionit Evropian për mënyrën se si Shqipëria do të bëhet anëtare e BE-së," ka deklaruar Hasani.
Ministri ka shtuar se Qeveria Shqiptare po bën shumë përpjekje për hapjen dhe mbylljen e kapitujve dhe negociatave.
"Ne po bëjmë shumë përpjekje për hapjen e kapitujve dhe grupkapitujve, rekomandimet si dhe mbylljen e këtyre të fundit. Kalendarin për këtë proces negociues është shumë i qartë, ai përfundon në fund të vitit 2027. Tani, negociatat janë të hapura dhe në vitin 2027 ato do të mbyllen," shtoi Hasani.
“Negociatat për anëtarësimin e Shqipërisë në BE filluan në vitin 2022. Gjatë periudhës nga viti 2022 deri në vitin 2024, ishte e parashikuar që Shqipëria të organizonte konferencën për hapjen e grupkapitujve. Në muajin dhjetor, u hap grupkapitulli i 6-të, dhe këtë vit, Shqipëria do të hapë të gjithë grupkapitujt dhe do të mbyllë negociatat teknike. Kjo është e gjitha e thënë shumë qartë. Të gjitha janë të mbyllura dhe të dakordësuara," përfundoi Hasani./E.P-dritare.net

















