Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

1 në 50 shqiptarë në burg? Rama i përgjigjet Farage: Nëse ke të drejtë, i marr të gjithë mbrapsht

1 në 50 shqiptarë në burg? Rama i përgjigjet Farage:

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka reaguar me tone të forta dhe ironike ndaj një deklarate të ish-deputetit britanik dhe arkitektit të Brexit-it, Nigel Farage, i cili pretendoi se “1 në 50 shqiptarë në Britani është në burg”.

Në një mesazh të drejtpërdrejtë dhe të mbushur me sarkazëm, Rama e cilësoi këtë deklaratë si një “absurd tipik të politikës së pas-Brexit”, duke i ofruar Farage-it një sfidë publike për verifikimin e fakteve.

“Pretendimi juaj se ‘një në 50 shqiptarë në Britani është në burg’ nuk është fakt. Është absurd. Një klasik i manualit post-Brexit: ‘Nëse tingëllon frikshëm, atëherë duhet të jetë e vërtetë’,” tha Rama.

Duke u mbështetur te të dhënat reale, kreu i qeverisë shqiptare tha se krimi mes shqiptarëve në Britani nuk është më i lartë sesa mes qytetarëve vendas, madje, ndoshta është edhe më i ulët. Ai e pranoi se disa janë në burg, por e lidhi këtë me një sistem vizash “të padrejtë dhe të vjetëruar”.

Rama pastaj i bëri Farage-it një propozim publik:

“Nëse pretendimi juaj ‘1 në 50’ del i saktë — angazhohem publikisht t’i marr të gjithë mbrapsht. Jo për show, por zotohem publikisht. Por nëse shifra juaj është thjesht karburant për tabloide, atëherë... do të merrni një ftesë për të ardhur në Shqipëri — si i ftuar nderi.”

Kryeministri i ftoi Farage-in të përjetojë “diellin e vërtetë, mikpritjen e vërtetë dhe faktet e vërteta” për Shqipërinë dhe shqiptarët, me një kusht: që në të ardhmen, kur të përmenden paragjykime ndaj shqiptarëve, ai të jetë i pari që i mbron ata me të njëjtin zell që i akuzon sot.

Replika e Ramës ka tërhequr vëmendje në mediat sociale dhe ndërkombëtare, me shumëkënd që e cilëson si një përgjigje të guximshme ndaj një narrative shpesh stigmatizuese ndaj shqiptarëve në emigracion.

Farage ende nuk ka reaguar ndaj kësaj ftese publike dhe sfide për verifikimin e fakteve.

Reagimi i plotë i kryeministrit Rama:

"Upsss… vetë z.Nigel Farage më sfidoi për faktet!

Çfarë nderi — për një “burrë gjigand”, siç më përshkroi ai (duke pasur parasysh, natyrisht, që vij nga një “vend i vogël”) — të tërheq vëmendjen e mjeshtrit të padiskutueshëm të politikës me tituj në Britani.

Ai tha — dhe po e citoj:
‘’Të them diçka, z. Rama: e di që një në 50 shqiptarë në Britani janë në burg? Prandaj trego pak vullnet të mirë dhe merrini të gjithë mbrapsht nesër, sepse kjo është hipokrizi.”

Epo, z. Farage — më lejoni t’ju përgjigjem me diçka që s’është aq e zakonshme në stilin tuaj: shifra reale.

Pretendimi juaj se “një në 50 shqiptarë në Britani është në burg”Nuk është fakt. Është absurd. Një klasik i manualit post-Brexit: ‘’Nëse tingëllon frikshëm, atëherë duhet të jetë e vërtetë.’’

Por kur shikohen të dhënat reale — është një befasi! Edhe nëse do të supozonim se çdo shqiptar që ndodhet në burg është realisht fajtor (ndonëse shumë janë aty për shkak të një sistemi vizash të padrejtë dhe të vjetëruar), shkalla e kriminalitetit mes shqiptarëve në Mbretërinë e Bashkuar nuk do të ishte më e lartë se ajo e popullsisë britanike— madje ka shumë gjasa të jetë më e ulët.

Dhe meqë të dy duket se e vlerësojmë “vullnetin e mirë” dhe nuk e durojmë “hipokrizinë”, kam një propozim të thjeshtë për ju:

T’i sjellim të dyja palët faktet në tavolinë. Nëse pretendimi juaj “1 në 50” del i saktë — angazhohem publikisht t’i marr të gjithë mbrapsht. Jo për show, por zotohem publikishit.

Por nëse del që shifra juaj është thjesht karburant për tabloide, atëherë s’ka nevojë për ndjesë. S’ka nevojë për drama. Madje në vënd të kësaj do të merni një ftesë për të ardhur në Shqipëri — si i ftuar nderi.

Do të merrni diell të vërtetë, mikpritje të vërtetë, dhe fakte edhe më të vërteta — për Shqipërinë dhe shqiptarët. Dhe gjithçka që do t’ju kërkoj në këmbim është një zotim i vogël, i thjeshtë: që herën tjetër kur dikush të përgojojë shqiptarët, të jeni ju i pari që t’i thoni, të ndalet.

Si thoni atëherë? Një verifikim faktesh për një deportim total — ose për një palë pushime, në mesin e njerëzve më të ngrohtë që do të njihni ndonjëherë.

Hajde, Nigel. Edhe nëse humb në kontrollin e fakteve, fiton një komb të tërë miqsh për gjithë jetën.

Pres me padurim përgjigjen tuaj", shkruan Rama./L.F-dritare.net