
Kumbaro prezanton reformën në Menaxhimin e Integruar të Mbetjeve
Dritare.net
Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit Mirela Kumbaro prezantoi sot, në një dalje publike së bashku me kryeministrin Edi Rama, reformën e re të menaxhimit të integruar të mbetjeve. Ministrja Kumbaro pohoi se në një moment kur mblidhen rreth 98% të mbetjeve të gjeneruara në territor, është i nevojshëm një plan i ri për menaxhimin dhe trajtimin e tyre, që shkon përtej kapaciteteve të bashkive.
“Në vitin 2013 mblidheshin 51% e mbetjeve në territor, në vitin 2020 mblidheshin 87% e tyre, kurse në vitin 2024, gati 98% e mbetjeve. Në vitin 2013 kishim vetëm një landfill, atë të Bushatit, sot kemi 7 pika fundore të trajtimit të mbetjeve”, tha Kumbaro.
“Ne propozojmë një plan të ri kombëtar për menaxhimin e mbetjeve që ka së pari shtyllën e vet ligjore, kemi gati për miratim ligjin e ri të mbetjeve me të cilin respektojmë dhe plotësojmë nga pikpamja ligjore të gjitha standardet europiane. E kemi bërë këtë në konsultim shumë të ngushtë me ekspertë europianë falë projektit IPA-circula economy me Bashkimin Europian. Po kështu ligjin e “Përgjegjësisë së Zgjeruar të Prodhuesit”, i cili ka shkuar në kuvend dhe bashkë me ligjin e mbetjeve miratohen brenda sesionit të parë të kësaj legjislature”, tha Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit Mirela Kumbaro.
Në kuadër të ndryshimeve, pritet krijimi i Operatorit Kombëtar të Trajtimit të Mbetjeve.
“Agjencia Kombëtare e Ekonomisë së Mbetjeve është krijuar në mars të vitit 2024 dhe aktualisht është agjenci nën varësinë e Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit. Propozojmë krijimin e Operatorit Kombëtar të Trajtimit të Mbetjeve, si një kompani shtetërore me kompetenca për ndërtim, operim dhe financim të infrastrukturës së mbetjeve në nivel kombëtar”, tha Kumbaro.
Ajo shtoi se bashkive nuk u lëviz kompetenca e menaxhimit të territorit, përsa i përket menaxhimit të mbetjeve. “Duhet theksuar se bashkive nuk iu lëviz kompetenca e menaxhimit të territorit përsa i përket menaxhimit të mbetjeve, siç e përcakton qartë edhe ligji i autonomisë vendore, edhe projekt ligji i menaxhimit të integruar të mbetjeve, bashkitë do të vijojnë të kenë përgjegjësinë dhe detyrën e mbledhjes së mbetjeve në territor, të menaxhimit të burimeve njerëzore, të administrimit të inftastruktures së lehtë e të lëvizshme të doosdoshme për të realizuar me sukses këtë kompetencë siç e kanë edhe sot.”
Kumbaro prezantoi edhe investimet në proces në Zonat e Menaxhimit të Mbetjeve Berat, Dibër, Korçë, Durrës, Vlora-Veri, Gjirokastër – Vlora Jug dhe Kukës, nga pikat fundore deri te mbyllja e venddepozitimeve jashtë standardeve, si edhe ngritjen e Sistemit të Integruar të të Dhënave Mjedisore, si një platformë digjitale që do të sigurojë të dhënat parësore në kohë reale mbi regjistrin e mbetjeve urbane dhe transfertat e mbetjeve./L.F-dritare.net

















