Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Inxhinieri: Si u pesëfishuan kostot për rrugën Korçë–Ersekë


Inxhinieri: Si u pesëfishuan kostot për rrugën

Një kallëzim i bërë në SPAK në vitin 2020 nga inxhinieri Romeo Nazarko ka vënë nën hetim projektin e ndërtimit të rrugës Qafë Zezë-Qafë Qar në Kolonjë. Sipas Nazarkos, i cili është banor i zonës dhe inxhinier, projekti origjinal ishte fiktiv dhe i papërshtatshëm për terrenin, duke injoruar elemente thelbësore si ujërat nëntokësore, gjë që çoi në shembjen e një segmenti të rrugës. Kallëzimi pretendon se aksi i rrugës u ndryshua pa arsye teknike bindëse nga gjurma historike, e cila lidhte fshatrat, në një gjurmë të re paralele.

Ky ndryshim, sipas denoncuesit, shërbeu për të pesëfishuar vlerën e projektit, duke e rritur koston nga rreth 1 milion euro për kilometër në 5 milionë euro. Përveç dëmit financiar, Nazarko thekson se rruga e re ka pasoja të rënda gjeopolitike, duke izoluar fshatrat kufitare dhe përshpejtuar shpopullimin e tyre. Gjithashtu, ai argumenton se ndërhyrja ka prishur gjurmën historike të rrugës antike Egnatia, e cila lidhte Korçën me Janinën. Hetimet e SPAK-ut mbi këtë çështje kanë çuar në thirrjen e disa zyrtarëve, përfshirë kryetarin e Bashkisë Kolonjë, Erion Isai./L.F-dritare.net