
Detyrimi i ri për vendet e NATO-s: Sa duhet të shpenzojë Shqipëria për mbrojtjen!
Dritare.net

Në një botë gjithnjë e më të pasigurt, cila është pozita e Shqipërisë? Eksperti i sigurisë, Xhavit Shala, shpjegon se pjesë e "kulturës së strategjisë" shqiptare ka qenë historikisht zgjidhja e çështjeve të sigurisë duke u mbështetur nën ombrellën e një aleati të madh. Sot, ky aleat është NATO, anëtarësimi në të cilën mbetet një fitore e jashtëzakonshme.
Megjithatë, ky anëtarësim vjen me detyrime të reja. Shala zbulon një lajm të rëndësishëm që buron nga politikat e Presidentit Trump: vendet anëtare të NATO-s do të duhet të arrijnë objektivin e shpenzimit të 5% të PBB-së për mbrojtjen deri në vitin 2035. Ky është një detyrim i cili do të transformojë rrënjësisht buxhetet e mbrojtjes në të gjithë aleancën.
Për Shqipërinë, e cila aktualisht arrin objektivin 2%, kjo do të thotë një rritje dramatike.
"Tek ne mund të shkojë rreth 1.3 miliardë dollarë," llogarit Shala.
Këto fonde nuk do të shkojnë vetëm për armë dhe uniforma. Rreth 30% e tyre mund të investohen në infrastrukturën ushtarake, e cila shpesh ka përdorim të dyfishtë. Kjo përfshin ndërtimin e korridoreve tokësore, rrugëve dhe urave që mund të përdoren për lëvizjen e shpejtë të trupave të NATO-s, si dhe porte me kapacitete ushtarake, duke i shërbyer njëkohësisht edhe zhvillimit civil të vendit./E.P-dritare.net

















