
Djali i i Hashim Thaçit: Babain nuk e lejuan t'i hedhë një grusht dhe!
Dritare.net
Haxhi Thaçi, babai i ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi përcillet sot në banesën e fundit pasi humbi jetën për shkak të betejës me një sëmundje të rëndë.
I biri nuk është aty për t’i dhënë lamtumirën e fundit, pasi sipas Organizatës së Veteranëve, Gjykata Speciale në Hagë nuk i ka dhënë leje për të marrë pjesë në ceremoninë mortore.
Djali i Hashim Thaçit ka mbajtur një fjalim emocionues gjatë homazheve për gjyshin e tij, Haxhi Thaçi. Endriti Thaçi i falënderoi të gjithë për mbushjen në këtë kohë të vështirë, ndërsa shtoi se shpresa e gjyshit të tij për të takuar të birin, ish presidentin e Kosovës, ishte më e madhe se dhimbjet e sëmundjes.
“Faleminderit nga zemra për ngushëllimet për fjalët prekëse. Në emër të familjes Thaçi, në emër të babit iu falënderoj për mbështetjen. U jemi mirënjohës të gjithëve. Gjyshi asnjëherë nuk është dorëzuar përballë sëmundjeve. Shpresa për ta takuar babin ishte më e madhe se dhimbjet e sëmundjeve. Besimi ishte më i madh se aktakuza e padrejtë. Në muajt e fundit çdo orë priste t’ia hapte derën e spitalit, nuk u dorëzua dhe u rikthye në jetë disa ditë. Tri orë atë ditë, iu bënë një jetë. Që të dy e kërkonin lirinë, çlirimin”, tha Endriti.
Ai përmendi faktin se të atin nuk e lejuan që të merrte pjesë në ceremoninë mortore, por shtoi se ë vend të tij ka ardhur e gjithë Kosovë, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut.
“Ai iu mbijetoi të gjitha vuajtjeve, por këto 4 vite nuk i mbijetoi dhimbjes nga padrejtësia. Sëmundje e pashërueshme për njerëz të fortë. Babin nuk e lejuan të jap lamtumirën e fundit, nuk e lejuan t’i hedhë një gusht të dheut të Drenicës, por në vend të babit sot ka ardhur Kosova, Shqipëria, Maqedonia e Lugina”, shtoi ai.
Sipas mediave në Kosovë Haxhi Thaçi do të prehet në varrezat e reja të fshatit Burojë, Skenderaj. Homazhet për të kanë nisur që prej orës 09:00 në palestrën “Ilaz Kodra” në Skenderaj. Të pranishëm janë nëna e ish-presidentit Thaçi, bashkëshortja, djali i tij dhe anëtarë të tjerë të familjes. Ndërsa cermemonia e varrimit do të zhvillohet në orën 15:00.
Nga Tirana, homazheve iu bashkua edhe Linda Rama, bashkëshortja e kryeministrit, si edhe Kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali.
“Erdha këtu për t’i dhënë lamtumiren bacës Haxhi. Kjo është një ditë e trishtuar dhe në këtë ditë të trishtuar jam këtu me ty nana Hyrë, jo në këmbë të Edit, por në radhë të parë se e di mirë se çfarë do të thotë të jesh prind i një politikani e posaçërisht nëna e një politikani. Në këtë ditë të trishtuar jam këtu me të gjithë familjen tuaj të cilës sot i mungojnë dy burra", tha Linda Rama.
Gjykata Speciale e Hagës në një reagim për Gazetën Express thotë se nuk ka pasur as kërkesë publike e as vendim publik të ndonjë gjyqtari që ish-presidentit Thaçi t’i jepej leje për të marrë pjesë në ceremoninë mortore të babait.
“Të gjitha dokumentet publike, duke përfshirë parashtresat nga Mbrojtja dhe vendimet e gjyqtarëve publikohen në faqen e internetit të Dhomave të Specializuara. Aktualisht nuk ka kërkesa apo vendime publike për këtë çështje”, ka thënë zëdhënësi i Dhomave të Specializuara, Michael Doyle.
Një ditë më parë Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, tha se Hashim Thaçi nuk do të marrë pjesë në ceremoninë mortore, kjo për shkak se Gjykata Speciale e refuzoi kërkesën e këtij të fundit për të qenë i pranishëm. Ky vendim ngjalli reagime të shumta, mes tyre edhe nga kryeministri Edi Rama ku e cilësoi këtë këtë veprim si një “akt turpi”.
Babai i ish-presidentit ndërroi jetë më 16 mars pas një sëmundje të rëndë. Më 13 mars, Gjykata Speciale në Hagë i dha leje ish-presidentit Thaçi dhe erdhi në Kosovë për të vizituar babanë e tij në gjendje të rënduar shëndetësore. Gjykata kishte refuzuar disa herë kërkesat e Thaçit për të vizituar babanë në spital. Thaçi u prit me thirrjet “UÇK, UÇK” dhe “O Hashim, o hero, krejt Kosovën këtu e ke”./E.P-dritare.net

















