
Çfarë duhet të ndryshojë me mësimin e shqipes në shkolla! Flet pedagogia!
Dritare.net
Pedagogia e gjuhësisë Teuta Toska e ftuar në emisionin Shqip nga Rudina Xhunga në DritareTV tha se duhet të ndryshojë mënyra se si nxënësit e mësojnë gjuhën shqipe në shkolla. Sipas akademikes ka ardhur koha për didaktikë të drejtshkrimit. Gjuhëtarja foli edhe për problematikat e tekstit alternativ dhe sipas saj Ministria e Arsimit duhet të bëjë një studim përpara se të marrë një vendim.
“Në takimin që ne patëm në Akademinë e Shkencave me ministren e Arsimit, pothuajse të gjithë profesorët, gjuhëtarët ia shprehën ministres shqetësimin që tekstet e gjuhës shqipe, si rrjedhojë e reformës së tekstit alternativ, nuk janë më aq të suksesshme. Ka ardhur koha që ne të kuptojmë se përse këto tekste nuk janë aq të suksesshme. Në lidhje me tekstet e gjuhës ajo që mund të ketë pasur shumë pak sukses, ose që mund të ketë dështuar është mënyra se si jepet dija gjuhësore. Ne jetojmë në kohë që ka ndryshuar jashtëzakonisht shumë ajo që kërkohet sot nga fëmijët, në krahasim me ne dikur. Dija në kohën tonë qe përsëritja, të mësuarit përmendësh. Në mësonim skemat dhe në bazë të këtyre skemave riprodhonim. Ndërsa sot kërkohet mendimi. Unë besoj që shkolla jonë ka qenë një shkollë që kishte shumë autoritet gjuha dhe letërsia. Mësimdhënia e gjuhës dhe e letërsisë konsiderohej shumë solemne. Unë di akoma gjëra që m’i ka mësuar mësuesja e gjuhës. Nuk e di nëse ndodh ende sot që mësuesi i gjuhë-letërsisë ka ende sot solemnitet dhe autoritet në klasë. Përpara viteve ‘90, mësimi i gjuhës dhe mësimi i letërsisë ishte qëllim në vetvete. Ndërsa pas viteve ‘90-të gjuha dhe letërsia ishin mjet për të mësuar fëmijën për të komunikuar. Pra një mjet dhe jo një qëllim.
Unë besoj që duhet të ketë një reformë. Autorët atë ditë thanë se kishin shumë pak kohë për të prodhuar një tekst. Afatet janë të tmerrshme. Pra për tre muaj ti duhet të prodhosh një tekst. Programet kanë shumë material teorik, ky është një tjetër problem. Një hartues teksti e merr rregullin e drejtshkrimit siç e ka aty dhe ia plas fëmijës në libër. Dhe as fëmija, as prindi dhe as mësuesi në klasë nuk e kuptojnë. Drejtshkrimi duhet mësuar ndryshe. Ka ardhur koha edhe për didaktikë të drejtshkrimit. Dhe shpresoj që me këtë nismë që ka marrë tani ministria për të sjellë edhe një herë mësuesit në universitet dhe bashkë me ne profesorët në një kualifikim kornizë të mund të ndihmojmë njëri-tjetrin. Sa i përket tekstit alternativ unë mendoj se para se ministria të marrë një vendim, duhet të bëjë një studim. Kam përshtypjen që edhe mësuesit janë lodhur me shumë reforma.”, tha akademikja në DritareTV./K.C/dritare.net

















