Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Berisha: Ja si na i vodhën zgjedhjet!

Berisha: Ja si na i vodhën zgjedhjet!

Sali Berisha ka mbajtur një mbledhje të jashtëzakonshme me drejtuesit politikë të Partisë Demokratike për të analizuar rezultatin e zgjedhjeve të 11 majit dhe për të përcaktuar hapat e ardhshëm të opozitës. Berisha ka akuzuar qeverinë e Edi Ramës për manipulim të zgjedhjeve. Ai u shpreh se zgjedhjet nuk ishin të lira dhe të ndershme, duke pretenduar se janë shkelur parimet kushtetuese, Kodi Zgjedhor dhe standardet ndërkombëtare për zgjedhje demokratike. Berisha ka njoftuar për hartimin e një raporti që dokumenton shkeljet e pretenduara gjatë procesit zgjedhor, i cili do t'u dorëzohet ndërkombëtarëve si dëshmi e manipulimeve.

"Këto banda kanë vepruar në dhjetë qarqe të vendit dhe në mbi 20 bashki me detyrën për të mbështetur dhe sjellë në parlament 30 kandidatë të PS. ‘Ylli’ i kësaj fushate është famozja Sara Mile, e cila arriti në 30 mijë, po tani po i ulin votat sepse bëhet barsoletë botërore se si e panjohura u bë më e votuara në zgjedhjet e narkoshtetit shqiptar. Bandat, aty ku panë se puna e nëndheshme mund të mos realizonte objektivin, dolën haptas në shesh, në terren, në një seri bashkish, ndër të cilat në Vorë, në Peshkopi, në Mat dhe në Durrës, në Elbasan, në shumë rrethe të tjera. Unë gjej rastin të shpreh një falenderim dhe mirënjohje ndaj të gjithë gazetarëve, të cilët me guxim, me trimëri kanë bërë publike të vërtetat, këtë aktivitet kriminal, i cili u ushtrua ditën e zgjedhjeve pa asnjë lloj kufizimi. Pra, e vërteta është se zgjedhjet u rrëmbyen nga një narkodiktator që me një fuqi korruptive dhe që mendon se do mund të qëndrojë mbi mandatin e tij të krimit. Në këto zgjedhje u faktua në mënyrën më të pakundërshtueshme se sa më e madhe vjedhja e korrupsioni, aq më shumë ato shndërrohen në votë dhe vota në krim.Përdori të gjithë potencialin e narkoshtetit, me vendime qeverie. Shpërndau 70 milionë euro si dhuratë për votë 760 mijë pensionistëve, të cilët përbëjnë 48% të votuesve në Shqipëri. Kjo është shkelja publike më e rëndë dhe më e paprecedentë. Ky është megakrim elektoral, blerje e hapur dhe publike e votës. Cilido që përpiqet të na bindë apo të na kundërshtojë ne se ky nuk është një megakrim elektoral, një blerje e hapur publike e votës, ose është bashkëpunëtor në këto para krimi, paguhet me këto para krimi që paguhet vota, ose pastaj nuk ka ABC-në më elementare të parimeve të zgjedhjeve të barabarta dhe të drejta. Edi Rama nuk u përpoq të fshehë kësaj radhe asgjësimin e kodit zgjedhor dhe krimit elektoral. Ai shpërndau në mes të fushatës 138 licenca për miliona bimë kanabisi. Mos harroni se një bimë kanabisi e ka prodhimin 1 mijë euro. Se si i ndau mafia e drogës bimët për vota, është shumë e thjeshtë. Por një bimë kanabisi është 1 mijë euro produkti. Ai nuk e fshehu, por e bëri publike blerjen e votës kur dy ditë para zgjedhjeve fali më së paku 200 milionë euro gjoba dhe kamata të 10 viteve të fundit.”, tha Berisha./K.C/dritare.net