Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Drejtësia mbyll derën. Nuk do të ketë hetim për Olta Xhaçkën. Apeli rrëzon urdhrin për SPAK-un!

Drejtësia mbyll derën. Nuk do të ketë hetim për Olta

Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar vendosi të rrëzojë vendimin e mëparshëm të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë, i cili urdhëronte Prokurorinë e Posaçme (SPAK) të regjistronte një procedim penal dhe të niste hetimet ndaj ish-ministres Olta Xhaçka dhe bashkëshortit të saj, Artan Gaçi. Vendimi i Apelit erdhi pas ankesës së paraqitur nga SPAK, duke rikthyer në fuqi vendimin për mosfillimin e procedimit penal ndaj tyre.

Akuzat ndaj Xhaçkës dhe Gaçit lidhen me një kallëzim penal të bërë nga eurodeputeti Fredi Beleri, i cili i akuzon për shpërdorim detyre, falsifikim dokumentesh dhe pastrim parash në lidhje me përfitimin e një prone në Himarë, e cila më pas u shpall investim strategjik.

Ky vendim është përfundimtar në këtë fazë të procedurës, por nuk përjashton mundësinë e rihapjes së çështjes nëse paraqiten prova të reja.

Vendimi:

GJYKATA E POSAÇME E APELIT PËR KORRUPSIONIN DHE KRIMIN E ORGANIZUAR

Tiranë, më datë 14.05.2025


KOMUNIKIM PËR MEDIAN

Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me trup gjykues monokratik të përbërë nga gjyqtarja Iliriana Olldashi, sot më 14.05.2025, shpalli vendimin mbi çështjen penale nr. 90 akti, datë 08.04.2025 regjistrimi, regjistruar mbi ankimin e Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, kundër vendimit nr. 58, datë 28.02.2025 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar që ka vendosur:

“1. Pranimin e ankimit të bërë nga ankuesi Dh.A.B.

Detyrimin e Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar për regjistrimin e procedimit penal dhe për vazhdimin e hetimeve për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”, “Falsifikimi i dokumenteve” dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale”, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga nenet 248 186 287 të Kodit Penal, mbi parashtrimin e kallëzimit penal nr. 181, datë 04.09.2023, sipas pikës 42 të këtij vendimi.
Kundër këtij vendimi mund të bëhet ankim në Gjykatën e Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar brenda 10 (dhjetë) ditëve duke filluar ky afat nga e nesërmja e njoftimit të këtij vendimi.”
Në përfundim, Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar vendosi:

– Shfuqizimin e vendimit nr. 58, datë 28.02.2025 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.

– Rrëzimin e ankimit të ankuesit Dh.A.B., me objekt “Shfuqizimin e vendimit/shkresës nr. 22920/1 Prot., datë 27.12.2024 të Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar. Urdhërimin e regjistrimit të procedimit penal për veprën penale të kallëzuar dhe kryerjen e veprimeve hetimore përkatëse”.", thuhet në vendim./K.C/dritare.net