
Nga Neda Balluku
Për burrat që u votuan e s'fituan një mandat:
Dhemb kur sistemi për herë të parë nuk penalizon gratë, apo jo?!
Lexoj një farë "revolte" për dhe nga kandidatë burra që kanë arritur të grumbullojnë më shumë vota, megjithatë "penalizohen" nga kuotat gjinore të kodit zgjedhor e si rrjedhojë, gra (me pak të votuara) ja dalin të fitojnë vendin në Kuvend.
Burrat e kanë mbajtur politikën biznes ekskluziv të tyre për shekuj me radhë. Jo vetëm që gruaja ishte figurë e paimagjinueshme në politikë aktive, por as nuk mundte të votonte deri vonë. Kujto këtu, në Liechtenstein, zemër e Evropës, gratë kanë fituar të drejtën e votës vetëm në vitin 1984.
A kanë qenë gratë më pak të talentuara se burrat?
Më pak të shkolluara, (mbase)?
A është lidhur historikisht superioriteti mashkullor me vendimmarrjet shoqërore?
A ka prodhuar kjo mizogjini seriale? Maskilizëm të instaluar? Patriarkat efiçent?
A kanë qenë deri më dje sisteme të tëra të trasheguara politike që favorizonin burra e përjashtonin gra?
Sot kemi një sistem që e para than rrenjët e qasjes ekskluzivisht mashkullore në politikë. Sot gratë qartazi nuk janë më pak të talentuara, të shkolluara apo punëtore se burrat, vetëm sepse janë gra. Dhe e dyta, ky sistem është gurë themeli për të zhbërë padrejtësitë shekullore që u janë bërë grave në drejtim të angazhimit politik.
Ky sistem sistemon veten. Duke hyrë në thellësi të problemit në mënyrë krejtësisht sociale, kulturore dhe duke goditur drejtpërdrejtë mendësinë të politikës si pronë mashkullore. Dhe është e vetmja formë për t'ja dalë! Asnjë formë tjetër nuk ka patur sukses.
Përse një sistem që u kërkon ndjesë grave të së shkuarës dhe provon sinqeritetin e ndjesës me gratë e të sotmes, provokon kaq shumë revoltë në radhët e burrave? Sidomos të atyre që e dinë fare qartë që më shumë vota kapin ata duke pirë pesë teke raki në klubin e fshatit me kryeplakun, sesa një grua që i bie zonës kryq e tërthor!
Sistemet për shumë burra janë të panegociueshëm dhe të pa ndryshueshëm vetëm kur favorizojnë burrat. Kur e kundërta ndodh, konsiderohet padrejtësi dhe papritur nxjerrin nga xhepi kartën e barazisë gjinore.
Nuk mund të fitosh parlamentin vetëm sepse di të pish raki!/Marrë nga Facebook-u i autores

















