Na ndiqni edhe në

Bota

Izraeli dhe Irani, si krahasohen sistemet e tyre politike!

Izraeli dhe Irani, si krahasohen sistemet e tyre politike!


Izraeli dhe Irani ndodhen, në një gjendje lufte me njëri-tjetrin dhe drejtuesit e secilit vend po luajnë një rol vendimtar në zhvillimet aktuale. Megjithatë, sistemet politike të këtyre dy vendeve janë të ndryshme dhe mënyra se si qeverisen është po ashtu e ndryshme.

Izraeli është një demokraci parlamentare, ku vendimet kryesore, përfshirë edhe ato ushtarake, merren nga qeveria e zgjedhur. Vendimi për të sulmuar Iranin u mor nga kryeministri Benjamin Netanyahu me mbështetjen e kabinetit të tij të sigurisë. Edhe pse Netanyahu ka kontroll mbi strategjinë dhe operacionet ushtarake, çdo vendim për të përfunduar fushatën ushtarake diskutohet me atë kabinet të përbërë nga ministrat kryesorë.

Ushtria izraelite drejtohet nga shefi i shtabit të përgjithshëm, i cili është përgjegjës për mënyrën se si zhvillohet ofensiva dhe ndodhet nën komandën e drejtpërdrejtë të ministrit të mbrojtjes, një post civil.

Irani, nga ana tjetër, nuk konsiderohet një demokraci sipas standardeve perëndimore, ndonëse zhvillon zgjedhje që janë të kontrolluara dhe të filtruar nga autoritetet. Autoriteti më i lartë në vend është Udhëheqësi Suprem, Ayatollah Ali Khamenei, fuqia e të cilit është mbi çdo zyrtar të zgjedhur.

Khamenei është komandanti i përgjithshëm i forcave të armatosura iraniane dhe ai ka të drejtën të shpallë luftë apo paqe. Irani ka dy forca kryesore ushtarake: ushtrinë e rregullt dhe Korpusin e Gardës Revolucionare Islamike (IRGC), i cili është shumë më i fuqishëm. Ndryshe nga Izraeli, në Iran, forcat e armatosura janë nën komandën e drejtpërdrejtë të udhëheqësit suprem.

Ky kontrast tregon jo vetëm ndryshimin në mënyrën se si merren vendimet politike dhe ushtarake, por edhe kush i merr ato, një lider i zgjedhur në një demokraci parlamentare kundër një figure fetare me autoritet absolut në një sistem teokratik./K.C/dritare.net