
Si ta bëjmë shqipen seksi! Flet pedagogia Teuta Toska!
Dritare.net
"Ta bëjmë gjuhën shqipe sa më shumë tërheqëse, ta bëjmë shqipen seksi!" Ky ishte mesazhi që përcolli gjuhëtarja Teuta Toska në Shqip nga Rudina Xhunga në DritareTV. Pedagogia e gjuhësisë thotë se duhet të kujdesemi të shkruajmë dhe të flasim sa më mirë në gjuhën shqipe. Ne gazetarët, por edhe fëmijët duhet të mësojnë të flasin shqip. Sipas pedagoges, shqipja mbetet gjuha e rreptë e shkollës, e papërdorur. Mësuesit, prindërit, nëna, babai, gjyshi, gjyshja, kanë përgjegjësi t’i flasin fëmijëve në shqip dhe jo ti lënë me telefon në dorë.
“Ta bëjmë gjuhën shqipe sa më shumë tërheqëse, ta bëjmë shqipen seksi. Dikur mësimdhënia e letërsisë konsiderohej shumë solemne. Ky solemnitet ka marrë fund. Të gjithë jemi të gabueshëm. Ne duhet të kemi shumë kujdes. Ajo që vë re është se në përgjithësi na mungon kujdesi. U mungon kujdesi edhe mësuesve, edhe atyre të gjuhës. Ndonjëherë mësuesi duke qenë se ka detyrën për të qenë autoriteti në klasë, me kalimin e kohës mëson t’i thotë vetes që është i pagabueshëm. Por kjo nuk është e vërtetë. Një mësues duhet ta vendosë mirë se çfarë do t’i ofrojë nxënësve të vet në klasë. Ti japë më të mirën. Nëse i jep plehra, plehra do të nxjerrë nga goja.
Hartuesit e teksteve marrin rregullat e drejtshkrimit dhe ia plasin fëmijëve në libër. Shqipja mbetet gjuha e rreptë e shkollës, e papërdorur. Prindërit, nëna, babai, gjyshi, gjyshja, kanë përgjegjësi t’i flasin fëmijëve në shqip. Jo t’i lënë me telefon në dorë. Nëse një baba nuk flet me fëmijën e vet, nëse një nënë nuk bisedon gjëra serioze me fëmijën e vet, ne i kemi fëmijët memecë në shkollë. Mos mendoni se mësuesja do ta mësojë fëmijën të flasë. Ngërçi i madh psikologjik, është i vështirë të shërohet për 5, 6 apo 10 vitet e shkollës. Në universitet, jo e jo."-shprehet gjuhëtarja në DritareTV./K.C/dritare.net

















