
Nga Arlind Qori
Sot im atë do të mbushte 83 vjeç. Një burrë i ndershëm, me sedër, lexues i pandalshëm, i apasionuar pas teknologjisë dhe politikës.
Muhameti ka qenë pa diskutim njeriu që ka ndikuar më shumë në formimin dhe karakterin tim. Më kryesorja, më ka bërë të kuptoj qysh herët se nga rruga e të drejtës nuk duhet bërë as pas, as anash, pavarësisht kostove e sakrificave. Kur rruga e të drejtës është politike, duhet të durosh me qetësi edhe kur të fyejnë babain që s'rron më, të shpifin për gruan apo vëllain tënd, nesër, kushedi, edhe për fëmijët e tu.
Prapëseprapë të këmbëngulësh më fort e të mendosh më mirë, të duash shokët, shoqet, popullin dhe poezinë. Të luftosh jo vetëm për të drejtat e njerëzve të sotëm e të nesërm, por edhe për aspiratat e parealizuara të gjithë të shtypurve e të nëpërkëmburve të së shkuarës./Marrë nga Facebook-u i autorit

















