
Konferenca Rama–Starmer: Ndryshime të mëdha në qasjen ndaj azilkërkuesve
Dritare.net
Kryeministri shqiptar Edi Rama dhe homologu britanik Keir Starmer mbajtën një konferencë të përbashkët për shtyp në Tiranë, në kuadër të vizitës zyrtare të Starmer në Shqipëri, e para e një kryeministri britanik në vend. Konferenca u përqendrua në forcimin e bashkëpunimit dypalësh, veçanërisht në fushën e migracionit të paligjshëm dhe luftës kundër krimit të organizuar.
Starmer njoftoi masa të reja për të goditur rrjetet e trafikimit në Ballkanin Perëndimor, duke e cilësuar rajonin si një pikë kyçe në rrugën drejt Britanisë. Ai theksoi se çdo hap për të luftuar migracionin e paligjshëm dhe për të shkatërruar rrjetet kriminale që e mundësojnë atë do të sjellë rrugë më të sigurta në Mbretërinë e Bashkuar dhe do të ulë barrën mbi shërbimet publike. Starmer deklaroi se Mbretëria e Bashkuar do të nisë bisedime me vende të tjera për krijimin e "qendrave të kthimit" për azilkërkuesit e refuzuar, në mënyrë që ata të qëndrojnë në këto qendra ndërsa presin deportimin. Ai theksoi se kjo është pjesë e një qasjeje të re për të menaxhuar migracionin e paligjshëm.
Të dy liderët ranë dakord për të rritur bashkëpunimin në fushën e sigurisë, duke përfshirë ndarjen e të dhënave biometrike dhe përmirësimin e kapaciteteve të Shqipërisë në fushën e forensikës dhe teknologjisë dixhitale./K.C/dritare.net

















