Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Pedagogia Teuta Toska: Fjalorët dhe programi gjuhësor që ndihmojnë gazetarët me shqipen!

Pedagogia Teuta Toska: Fjalorët dhe programi gjuhësor që

Gjuhëtarja dhe pedagogia Teuta Toska e ftuar në Shqip nga Rudina Xhunga në DritareTV foli për problematikat me gjuhën shqipe sot. Gjuhëtarja bën thirrje që në administrata të mos punësohen njerëz që nuk dinë të shkruajnë shqip, që nuk dinë të shkruajnë me Ë dhe Ç. Gjuhëtarja tregon dy fjalorët dhe programin që duhet ta përdorin gazetarët dhe të gjithë ata që shkruajnë shqip me kompjuter për të shmangur gabimet. Pedagogia tregon edhe disa mënyra që ka përdorur me studentët e saj për t’ua mësuar shqipen edhe përmes celularit.

“Nëse keni dilemë për një fjalë në shqip se si shkruhet, mund ta gjeni fare thjesht në fjalorët që gjenden në internet. Ti klikon menjëherë aty dhe të del fjala si shkruhet. Fjalorët më të zakontë janë fjalorthi.com që ka fjalorin e 2006-ës i bërë nga Instituti i Gjuhësisë në Akademinë e Shkencave dhe fjalorishkenca.org i vitit 1980. Unë besoj se nga fundi i vitit do të kemi edhe fjalorin zyrtar nga Akademia e Shkencave.
Një këshillë që u jap studentëve të mi është që të shkojnë te libri i drejtshkrimit. Për këtë arsye kur ne e mësojmë në klasë, nuk e mësojmë përmendësh rregullin, por e mësojmë siç ndodh me kodet ligjore. Një avokat dhe gjyqtar nuk i di përmendësh kodet ligjore, por e ka pas krahëve librin e ligjeve. E di ku i gjen.
Ka mjete që bëjnë korrektuarën elektronike të gjuhës shqipe. Është mëkat të mos i dish dhe të mos i përdorësh. Unë nuk shkruaj kurrë nëse nuk e kam të instaluar në word, korrekturën elektronike të gjuhës shqipe.
Gazetarët duhet ta kenë të aktivizuar këtë program. Gazetarët tani duhet të prodhojnë lajme në çdo minutë dhe është e pamundur që ata të bëjnë kontrollin e gjuhës shqipe. Ndaj janë krijuar këto programe. Asnjë zyrë në shtet nuk duhet të punojë pa këtë program. Çdo medie, çdo zyrë në aparatin tonë shtetëror, në administratën shtetërore ka për detyrë ta kontrollojë shqipen edhe përmes këtyre pajisjeve dhe të përdorë këto fjalorët që thamë me sipër. Nëse një njeri nuk di të shkruajë me Ë dhe me Ç mos e punësoni në administratë publike!
Unë i kam ndaluar studentët e mi të më shkruajnë keq edhe me mesazhe në telefon. U bëj ushtrime në klasë me celular. U them:
-Më shkruani si lakohet kjo apo ajo fjalë. Më dërgoni një tekst, disa fjali, etj!
Unë them që edhe mësuesit ta bëjnë këtë herezi me nxënësit. Duhet t’i detyrojmë që të mësojnë të shkruajnë saktë shqip edhe me celular.”, tha pedagogia në DritareTV./K.C/dritare.net