
Heroi i fëmijëve shuhet në krye të detyrës. Ndahet nga jeta doktor Bashkim Nezaj
Dritare.net
Një ditë e trishtë për mjekësinë shqiptare. Mjeku i njohur pediatër, Dr. Bashkim Nezaj, është ndarë nga jeta në mënyrë të papritur gjatë turnit të natës në Spitalin Pediatrik të Fëmijëve, në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” në Tiranë.
Dr. Nezaj, një figurë e dashur për qindra mijëra fëmijë dhe prindër nga e gjithë Shqipëria, u shua në vendin ku kishte dhënë gjithë jetën e tij: pranë të vegjëlve që ai i shihte si fëmijët e vet. Për ndarjen nga jeta të doktor Nezajt ka shkruar edhe gazetari Elton Qyno:
"Sa trishtim sot.
U shua në krye te detyrës, gjatë turnit të Rojes (Natën) në Spitalin Pediatik të Fëmijëve, Dr. Bashkim Nezaj.
Një mjek Pediatër dhe Tropojan Babaxhan nga një familje me vlera në rrethin e Bajram Currit, që preku qindra mijëra zemra fëmijësh nga e gjithë Shqipëria.
Ikje e parakohshme, jo vetëm për familjen dhe miqtë, por dhe për sistemin mjekësor Pediatrik në Qëndrën Spitalore “Nënë Tereza” në Tiranë.
Bashkim Nezaj, shërbeu pranë fëmijëve deri në sekondat e fundit të jetës së tij dhe pranë fëmijëve zemra e tij u dorëzua gjatë orëve të natës.
Mirënjohje pa fund Dr. Bashkimi nga familja jonë, për përkushtimin, këshillat, vizitat orar pa orar që keni kryer ndaj dy djemve tonë.
Pas çdo telefonate apo mesazhi, ju kurrë nuk thatë jam i zënë.
I lehtë të qoftë dheu në Tropojën Tuaj, Dr. Bashkimi.
Mirënjohje!
Ngushëllime familjes dhe të afërmve.", shkruan gazetari./K.C/dritare.net

















