Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Rama një ditë para konferencës në Bruksel: Synim i përbashkët mbyllja e negociatave deri në 2027

Rama një ditë para konferencës në Bruksel: Synim i

Gjatë fjalës së tij në 35-vjetorin e Partisë Socialiste në Durrës, kryeministri Edi Rama deklaroi se synimi i qeverisë është mbyllja e negociatave të anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian brenda vitit 2027. Rama theksoi se nesër në Bruksel do të zhvillohet konferenca ndërqeveritare Shqipëri–BE, e cila, sipas tij, shënon një hap të rëndësishëm në procesin e integrimit europian të vendit.

“Jemi këtu dhe e çelëm këtë cikël takimesh këtu në Durrës jo rastësisht, por sepse Durrësi është shembëlltyrë e një transformimi të madh që ka në themelin e vet transformimin e vetë PS nga një forcë e krijuar nga një grup njerëzish kurajozë, në një forcë që hap pas hapi, me vendosmëri, durim, përkushtim u rrit, u rrit dhe u rrit dhe u kthye në një forcë jo vetëm fituese, por dominuese në Durrës, Krujë dhe Shijak.


Në zgjedhjet që lamë pas morëm rezultatin më të mirë historik në qark. Për një numër shumë të vogël votash ne nuk e morëm dot mandatin e 9, por garantuam një distancë nga kundërshtarët më të madhe se asnjëherë më parë. Kush nuk është pjesë e kësaj familje të madhe dhe kush nuk është i përfshirë në këtë rrugëtimin tonë, apo ta ketë idenë të jetë pjesë e strukturave tona, mund të gjejë lloj-lloj justifikimesh pse humb, por kush është pjesë e kësaj familjeje, qysh nga anëtarët e thjeshtë, e di shumë mirë se rezultatet tona burojnë nga një punë, organizim, përkushtim dhe besim i jashtëzakonshëm tek vetja, por edhe një vullnet për të bërë më të mirën nga PS për qytetin, fshatin apo atdheun tonë.

Ndodh shpesh që në takimet tona ne ta sjellim si shembull PS në Durrës, për këtë shembull dua t’ju falënderoj të gjithëve. Qëllon edhe që sot të jetë dita përpara mbledhjes, konferencës ndërqeveritare mes Shqipërisë dhe BE në Bruksel nesër, ku do të vuloset përmbyllja e fazës hyrëse dhe hapja e fazës mbyllëse për negociatat për anëtarësimin në BE. Kjo do të thotë që Shqipëria, pasi hapi të gjithë kapitujt në një kohë rekord, me shpejtësinë më të madhe të regjistruar nga të gjitha vendet pararendëse, tanimë konsiderohet e gatshme për të filluar nga mbyllja dhe konferenca e nesërme zhvillohet ekzaktësisht sipas kalendarit të paravendosur me synimin e përbashkët që negociatat e anëtarësimit të mbyllen brenda vitit 2027”, u shpreh Rama./K.C/dritare.net