Gjykata Kushtetuese rikthen për rishqyrtim ankimin e Erion Veliajt për lirimin nga qelia
Dritare.net

Gjykata Kushtetuese ka vendosur të pranojë pjesërisht kërkesën e kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, duke rikthyer për rishqyrtim në Gjykatën e Lartë ankimin e tij për masën e sigurisë “arrest në burg”. Vendimi u mor këtë të hënë me shumicë votash, ndërsa Kushtetuesja nuk e rrëzoi masën e arrestit, por arsyetoi se Gjykata e Lartë nuk kishte dhënë argumentim të mjaftueshëm për pretendimet e ngritura nga Veliaj në rekursin e tij. Sipas vendimit, Gjykata e Lartë duhet të analizojë mundësinë e masave alternative të sigurisë dhe të argumentojë nëse arresti me burg është proporcional në raport me funksionin e Veliajt si kryebashkiak i Tiranës.
NJOFTIM VENDIMMARRJEJE
Në datën 25.05.2026, Gjykata Kushtetuese (Gjykata) mori në shqyrtim çështjen me kërkues Erion Veliaj, me objekt shfuqizimin e vendimeve nr. 7, datë 09.02.2025 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, vleftësuar me vendimin nr. 14, datë 12.02.2025 të po asaj gjykate, nr. 13, datë 13.03.2025 të Gjykatës së Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar dhe nr. 00-2025-1153 (176), datë 08.07.2025 të Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë, si të papajtueshme me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë.
Gjykata, bazuar në natyrën dhe thelbin e pretendimeve të parashtruara në ankimin kushtetues individual, e shqyrtoi çështjen në themel vetëm në drejtim të pretendimeve për aspektin procedural dhe atë substancial të caktimit të masës së sigurimit "Arresti në burg" ndaj kërkuesit.
Ne aspektin procedural, Gjykata shqyrtoi pretendimet për cenimin e:
i) Se drejtës së mbrojtjes për shkak të kohës së pamjaftueshme në dispozicion për njohjen me aktet e dosjes dhe të qëndrimit të kërkuesit në kafaz/kabinën e xhamit gjatë procesit gjyqësor në gjykatat e faktit. Në lidhje me këtë pretendim Gjykata, me shumicë votash, vendosi rrëzimin e tij si të pabazuar.
ii) Parimit reformatio in peius (mosrëndimit të pozitës) të lidhur me marrjen e provave të reja në Gjykatën e Posaçme të Apelit, të paraqitura nga Prokuroria e Posaçme. Në lidhje me këtë pretendim Gjykata nuk arriti numin prej pesë votash për vendimmarrje, për rrjedhojë, në kuptim të nenit 73, pika 4, të Ligjit Organik të Gjykatës ai konsiderohet i rrëzuar.
Në aspektin substancial, Gjykata shqyrtoi pretendimet për cenimin e:
i) Dinjitetit dhe prezumimit të pafajësisë të lidhur me qëndrimin e kërkuesit në kafaz/kabinën e xhamit gjatë procesit gjyqësor në gjykatat e faktit. Në lidhje me këtë pretendim Gjykata, me shumicë votash, vendosi pranimin e tij, në drejtim të mungesës së arsyetimit nga Gjykata e Lartë të këtij pretendimi të parashtruar në rekurs nga kërkuesi.
ii) Lirisë personle në drejtim të:
2.1. Dyshimit të arsyeshëm të bazuar në prova për caktimin e masës së sigurimit personal ndaj kërkuesit të lidhur edhe me parimin e prezumimit të pafajësisë për shkak të gjuhës së përdorur në arsyetimin e vendimeve të gjykatave. Në lidhje me këtë pretendim Gjykata, me shumicë votash, vendosi rrëzimin e tij si të pabazuar.
2.2. Proporcionalitetit të masës të lidhur me të drejtën për t'u zgjedhur të cilin Gjykata, me shumicë votash, e gjeti të bazuar vetëm në drejtim të faktit që Gjykata e Lartë nuk i ka dhënë përgjigje të arsyetuar këtij pretendimi të ngritur në rekurs nga kërkuesi.
Në përfundim Gjykata, me shumicë votash, vendosi:
Pranimin e pjesshëm të kërkesës.
Shfuqizimin e vendimit nr. 00-2025-1153 (176), datë 08.07.2025 të Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë, si i papajtueshëm me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë. Dërgimin e çështjes për shqyrtim në Gjykatën e Lartë.
Vendimi përfundimtar do të shpallet i arsyetuar brenda afateve ligjore të parashikuara nga Ligji Organik i Gjykatës dhe nga Rregullorja për Procedurat Gjyqësore të Gjykatës Kushtetuese./K.C/dritare.net