Lufta po hyn në një fazë të rrezikshme! Mirela Jorgo për sulmin ndaj Ambasadës Shqiptare, në Ukrainë
Dritare.net

Juristja Mirela Jorgo ka komentuar sulmin që preku ambasadën shqiptare në Ukrainë, duke deklaruar se shteti shqiptar nuk duhet ta mbante stafin diplomatik në një zonë aktive lufte.
E ftuar në emisionin “Intervista e Ditës”, në DritareTV, ajo u shpreh se reagimi i institucioneve shqiptare ndaj Rusisë ishte i nxituar dhe pa prova të qarta mbi qëllimshmërinë e sulmit.
“Në momentin që një vend është në luftë, duhet të analizosh rrezikun për diplomatët e tu. Nuk mund të futesh në aventura të tilla dhe më pas të ankohesh,” – deklaroi Jorgo.
Sipas saj, Shqipëria duhet të kishte reduktuar ose pezulluar aktivitetin diplomatik në Ukrainë për shkak të përshkallëzimit të konfliktit. Megjithatë thotë Jorgo, ende nuk është provuar nëse goditja ndaj ambasadës shqiptare ishte e qëllimshme.
“Nuk mund të akuzosh pa prova. Mund të ketë qenë pjesë e goditjeve në zonë dhe jo një sulm direkt ndaj ambasadës shqiptare,” – tha ajo.
Jorgo shtoi se konflikti Rusi-Ukrainë po bëhet gjithnjë e më i rrezikshëm dhe se vendet e vogla duhet të tregojnë kujdes maksimal për të mos u përfshirë në tensione të mëdha gjeopolitike./K.C/dritare.net